“Nuk po rrezikohet, nuk po rrezikohet”!
Kështu këmbëngulte të mërkurën më 14 shkurt 2024 në Prizren, kryeministri Albin Kurti në pyetjen e gazetarëve nëse po rrezikohet partneriteti i Qeverisë së Kosovës që ai drejton me aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, ShBA-në, shkruan Demokracia.com.
Në këtë mënyrë, Kurti po i përgjigjej Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shetit, James O’Brien, i cili lëshoi paralajmërimin më të rëndë në historinë politike të Kosovës së Kurti po rrezikon partneritetin e Qeverisë së Kosovës me SHBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne [SHBA] nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës [Qeverinë Kurti] si partnere”, tha O’Brien më 13 shkurt 2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Po si kundërpërgjigje ndaj kësaj deklarate, Kurti nga Prizreni deklaroi poashtu se “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si Kryeministër i Kosovës”.
Por, nuk ka shkuar shumë kohë dhe këto deklarata të Kurtit, janë quajtur të pavërteta nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, në një konferencë të jashtëzakonshme para selisë së kësaj ambasade në Prishtinë, më 15 shkurt 2024, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se deklarimet nëpër intervista se nuk po rrezikohet partneriteti ynë janë të pavërteta.
Ky mesazh i koordinuar u dha në të njëjtën ditë kur sekretari i SHBA-së, Antony Blinken, erdhi në Shqipëri shkurtimisht për të dhënë, po ashtu, mesazhe të qarta për Kosovën dhe rajonin.
“Jam i shqetësuar që tani në intervistat e tyre, po thonë që kjo nuk do të ketë ndikim në partneritetin tonë. Dua ta përsëris se kjo nuk është e vërtetë. Siç ka thënë O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në partneritetin tone”, ka thënë Hovenier para gazetarëve.
Për më tepër, Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme. Ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha Hovenier. /Demokracia.com/