“Po nxehni me rrymë” – Çka tha dje KEDS e KESCO për çmimin e lartë të rrymës?

- in Lajme

Qytetarët e Kosovës kanë mbetur të shokuar me faturat e larta të energjisë elektrike. Kompania KEDS-KESCO, dje ka reaguar nëpërmjer dy njoftimeve.

Në njërën prej tyre, e veçanta ishte që kompania thotë se ‘qytetarët po ngrohen me rrymë’ ndërkaq në një reagim të mëvonshëm, kompania bën thirrje ‘për dialog konstruktiv mes palëve’ – një fjali – që jemi mësuar ta dëgjojmë më shpesh nga Brukseli.

Tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike, kanë ngjallur reagimin e shumë qytetarëve të Kosovës, të cilët, kanë ngelur të befasuar për të keq, me pothuajse dyfishimin e çmimit të rrymës.

Lidhur me këto reagime, kompania KESCO, ka lëshuar dje dy njoftime.

Në të parën, kjo kompani thotë veç tjerash se ‘faturat janë më të larta’ sepse ‘rryma po përdoret masivisht për ngrohje’.

“Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike. Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje”, u tha në komunikatën e kompanisë, shkruan Periskopi.

Duke qenë që reagimet për çmimin e rrymës, nuk po ndaleshin gjatë ditës dhe vazhdojnë të mos ndalet, shkaku i çmimit të lartë, KEDS dhe KESCO, dje lëshuan edhe një njoftim.

Ata e kanë quajtur gjithë debatin duke e vendosur veten se po qëndrojnë ‘mes grindjeve politike mes partive rivale’.

Në një pjesë të komunikatës, kjo kompani sqaron se KEDS dhe KESCO nuk i vendosin çmimet.

“Kjo është kompetenca e autoriteteve rregullatore, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga kompanitë tona. KEDS dhe KESCO u përmbahen në mënyrë strikte tarifave të përcaktuara nga këto organe rregullatore”, thuhet në komunikatë.

Në një pjesë të saj, na u kujtua një fjali që jemi mësuar ta dëgjojmë vetëm nga Brukseli, por megjithatë që ia vlen të lexohet dhe merret në konsideratë dhe e cila thotë kështu:

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në dialog konstruktivdhe të njohin rolin tanë siç përcaktohet nga kornizat rregullatore”.

Lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike, ka edhe zëra që bëjnë thirrje për hetim nga ana e Prokurorisë, mes tyre, veçojmë këtë komunikatë të Këshillit për Mbrojtjen dhe Të Drejtat e Lirive të Njeriut (KMDLNj):

“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim”, thuhet në reagim.

KMDLNj ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura”.

Sipas Këshillit, e keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës.

“Në vendet ku bëhet një politikë e përgjegjshme dhe ku deputetët vërtetë përfaqësojnë interesat e qytetarëve/votuesve të tyre, më së paku që do të ndodhte do të ishte dorëheqja apo shkarkimi i ministrisë përkatëse mbase edhe rënia e qeverisë”./Demokracia