Dje, Federata Shqiptare e Futbollit dorëzoi kandidaturën për organizimin e Euro 2027 të grupmoshës U-21.
Por, si bashkë-organizatore, Shqipëria e ka zgjedhur Serbinë, lajm ky që ka ngjallur debat të madh, sidomos në Kosovë.
Për shumëkë, ky ishte një lajm skandaloz, kurse pas Tifozave Kuq e Zi kanë reaguar edhe tifozeria e Prishtinës, “Plisat” që vazhdimisht e përkrahin Kombëtaren e Shqipërisë.
Në reagimin e tyre, kërkojnë nga FSHF që të tërhiqen dhe të kërkojnë ndjesë.
Reagimi i plotë i tyre, pa ndërhyrje:
TËRHIQUNI E KËRKONI NDJESË TË RËNËVE E TË GJALLËVE
FShF paska kandiduar bashkë me serbinë për organizimin e Evropianit U21.
Nuk e kuptojmë përse një pjesë e Shqipërisë, sidomos asaj zyrtare, i ka përcaktuar vetes detyrën e rehabilitimit të imazhit të serbisë në sytë e botës!
Serbia mbetet po ajo që ishte për qindra vjet: gjenocidale, fashiste, antishqiptare dhe mbi të gjitha është ende pushtuese e trojeve tona.
Andaj i bëjmë thirrje Federatës të tërhiqet nga kandidatura e të mos vazhdojë më tutje këtë marri. Nuk mund të bashkëpunoni me një shtet që Luginën e ka ende të pushtuar, e që Kosovën ende e konsideron të veten. Me një shtet që ende na ka shumë borxh.
Tërhiquni e kërkoni ndjesë të rënëve e të gjallëve.
P.s. për zërat që presin pa durim që ne të kthehemi kundër Shqipërisë, veç ju kujtojmë se dashuria jonë për kombin nuk kushtëzohet nga veprimet e individëve e as institucioneve.
Shqipëria dhe Prishtina janë tonat, janë kuq e zi, e për to luftojmë ne.
Shihemi në Gjermani.
/Demokracia