Plagosje paradite, të shtëna në mbrëmje: Lagja e Muhaxherëve nuk gjen qetësi, dyshohet se janë përfshirë dy familjet e njohura

- in Lajme

Lagja e Muhaxherëve ditën e djeshme nuk ka gjetur qetësi. Pas plagosjes që ndodhi paradite, sërish pati të shtëna në mbrëmje. Por, çfarë dihet deri më tash?

Një person mbeti i plagosur ditën e djeshme në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Jozyrtarisht nga mediat u raportua se i plagosuri ishte Pajtim Gashi nga familja që njihen si ‘Capat’ në kryeqytet. Kurse, dorasi dyshohej të ishte Shkumbim Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës.

Megjithatë, të gjitha këto informacione mbeten për t’u konfirmuar edhe nga institucionet e drejtësisë e sigurisë.

Plagosjen gjatë ditës së djeshme e konfirmoi Policia e Kosovës.

Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti nga Policia e Kosovës.

E në mbrëmje, pranë shtëpisë së Salih Sekiraqës djali i të cilit dyshohet për plagosje, pati në dy raste të shtëna me armë zjarri. Megjithatë, askush nuk u lëndua.

Zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti, konfirmoi se të shtëna me armë janë dëgjuar në dy lokacione afër rrugës Bedri Shala.

“Sot rreth orës 21:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë dy lokacione afër rrugës Bedri Shala në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.

Ajo tha se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.

“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar”, tha Ahmeti.

Nuk dihen shkaqet që kanë dërguar deri te këto zhvillimeve, megjithatë këto dy familje janë të njohura në kryeqytet. Salih Sekiraqa kishte pasur probleme me ligjin edhe më herët.

Në anën tjetër, familja e të plagosurit kishte pasur një reagim për media, ku kishte kërkuar ‘që të mos njollosen’.

Reagimi i tyre pa ndërhyrje:

Te nderuar media, Ne emer te familjes Gashi-CAPAT dhe ne emrin personal te Zt.Bejtush Gashi ju kerkojme qe te ndaloni publikimet rreth lajmeve te rastit te sotem i cili ka tronditur familjen tone. Me publikimin e lajmeve te vazhdushme jeni duke renduar gjendjen tone emociale dhe kete moment te rende te cilin e kaluam si pasoje e nje sulmi – tentim vrasje ndaj pjestarit te familjes Gashi ne vendin e punes , ku si nje familje e ndershme, gjithmone jemi munduar ti sherbejme ndershem shtetit-duke punesuar dhe mbajtur qindra familje, dhe duke paguar qindra taksa shetit tone . Ky sulm ndaj familjes tonë ka ardhur pa asnje arsye dhe asnje konflikt te mehershem! Po ashtu marr parasysh se jemi nje familje e respektuar e kryeqytetit dhe nje familje biznesmenesh te sukseshem ju lutem te mos na njollosni me kriminelet te ciles tentuan ta njollosin reputacionin tone dhe te lendojne nje antare te familjes vetem per te qenë pjese e shkrimeve te mediave sikurske ju. Andaj deshirojme te ju njoftojme se antari i familjes tone eshte ne gjendje te mire shendetesore dhe presim nje reagim te shpejt nga ana e institucioneve te sigurise qe pergjegjesit te sillen para drejtesis dhe te marrin denimin e merituar. Me respekt Familja GASHI CAPAT./Demokracia