Dy gratë që mbetën të plagosura të shtunën në rrugën “Besa – Besë” në Fushë Kosovë – njëra 64 e tjetra 44 vjeçare – janë jashtë rrezikut për jetë, por me lëndime serioze.
“Bëhet fjalë për dy të plagosura, paciente të gjinisë femërore, viti i lindjes 1959 dhe 1979. Relacioni është nënë dhe bijë. Gjendja e tyre është stabile. Gruaja më e moshuar ka lëndime më serioze në bark dhe ekstremitetet e mëposhtme. Ajo do t’i nënshtrohet një operacioni. Si nga ana e kirurgut abdominal edhe ortopedi. Në anën e djathtë ka një frakturë të ekstremitetit të poshtëm”, tha Govori.
Ndërkaq, pacientja 44 vjeçare ka dy plagë në dy duart e saja, njoftoi doktori.
“Pacientja tjetër, 1979 viti i lindjes, plagët i ka në ekstremitetet e sipërme. Ka dy plagë në dy duart. Për momentin është stabile. Është ba imazheria dhe pritet të kryhet konsulta nga ortopedi dhe kirurgu vaskular”.
Ndryshe, lajmin për plagosjen e dyfishtë në Fushë-Kosovë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se rasti ka ndodhur rreth orës 11:45 dhe mënjëherë Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave dhe motiveve që çuan deri te plagosja e dyfishtë.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.
/Albanianpost.com