Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për një rast të tentim vrasjes, pas denoncimit të një 51-vjeçari, i cili u plagos në fshatin Vllahi, të dielën. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim, ndërsa ende nuk dihet se kush është i dyshuari, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e mëngjesit, derisa viktima po qëndronte në fshat, kur papritmas u qëllua nga një plumb i armës së gjuetisë, që i shkaktoi plagë në krah, për çka u dërgua fillimisht në spitalin e Mitrovicës, e më pas në QKUK.
Posa Policia është vënë në dijeni për ngjarjen, një njësi policore ka marrë deklaratën e viktimës, i cili ka përshkruar disa detaje të momentit kritik, teksa në vendin e ngjarjes janë bërë ekzaminimet e nevojshme.
Derisa 51-vjeçari po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.