Kur nuk jemi të sigurt për veten, ne shpesh i drejtohemi familjes, miqve dhe mentorëve për këshilla. Ne i pyesim ata se çfarë duhet të ndërmarrim në lidhje me punën, marrëdhëniet, mundësitë dhe dilemat tona. Po ashtu, ne shpesh kërkojmë miratimin e shumicës, dhe përdorim mendimet e të tjerëve për të bërë vlerësime për veten tonë.
Edhe pse i duam njerëzit në jetën tonë nga të cilët kërkojmë këshilla, ato nuk janë gjithmonë objektive. Në fakt, është mjaft e vështirë për këdo që të jetë objektiv dhe me të vërtetë të ofrojë udhëzime të mëdha.
Përgjigja gjithmonë qëndron brenda nesh, mirëpo ajo kërkon ca kohë për të gërmuar. Bërja e pyetjeve është një mënyrë e shkëlqyeshme për të qenë më objektiv në lidhje me situatën tuaj dhe për të zbuluar gjëra të reja për veten dhe rrugën që dëshironi ta ndiqni. Këto pyetje do t’ju ndihmojnë të kuptoni se ku jeni në karrierën tuaj kundrejt vendit ku dëshironi të jeni, si dhe t’i identifikoni hapat veprues drejt realizimit të një vizioni të fuqishëm.
1. Ku dua të jem në 5 apo 10 vitet e ardhshme?
Edhe pse është e pamundur të parashikoni se ku do të jetë jeta juaj pas 5 apo 10 vitesh, është e rëndësishme të keni një plan se ku dëshironi të jeni në atë kohë. Duke parashtruar këtë pyetje ju i jepni të drejtë vetes të vendosni synime për atë që dëshironi të arrini në jetën tuaj. Pa qëllime, ju do të jeni si një anije që do të përhapet në oqean pa një destinacion të caktuar.
Të keni qëllime të qarta ju lejon të përqendroni përpjekjet tuaja në aktivitete që ju çojnë përpara në karrierë. Qëllimet tuaja ju japin motivimin që ju nevojitet për të krijuar jetën më të mirë për veten tuaj. Qëllimet ju ndihmojnë të përafroni vendimet tuaja me jetën tuaj të dëshiruar.
Sipas një studimi të revistës së famshme “Harvard Business Review”, ata që vendosin qëllime kanë dy herë më shumë gjasa të kenë sukses sesa ata pa qëllime, si dhe ata me qëllime të shkruara dhe një plan për karrierë kanë 10 herë më shumë gjasa të kenë sukses sesa ata që nuk i caktojnë vetes qëllime.
2. Si do të duket jeta ime nëse vazhdoj të bëj atë që bëj sot?
Edhe nëse nuk e keni pasur një vizion për të ardhmen tuaj, shpresojmë që pyetja e parë të ketë bërë të mendoni se ku e shihni veten në të ardhmen. Fatkeqësisht, shumë prej nesh harxhojnë kohë duke bërë gjëra që nuk na ndihmojnë të shkojmë më pranë qëllimeve tona.
Mos harroni, vitet në vijim varen nga gjërat që bëni sot. Duke ja parashtruar vetes këtë pyetje ju do të identifikoni gjërat e panevojshme në jetën tuaj që po humbin kohën tuaj dhe po ju privojnë nga arritja e qëllimeve që ja keni caktuar vetes. Prandaj, është e domosdoshme të dilni jashtë komfort zonës tuaj dhe të provoni gjëra të reja.
3. A po më jep kënaqësi puna që bëj?
A jeni i kënaqur me punën tuaj të tanishme? A jeni i apasionuar pas projekteve për të cilat po punoni? Nëse puna juaj nuk ju motivon, mund të jetë koha të konsideroni një karrierë që do t’ju lejojë të futeni në atë zonë ku ndiheni më mirë dhe më produktiv. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të lini punën tuaj të tanishme. Nëse ju pëlqen kompania ku aktualisht punoni, bisedoni me shefin tuaj për atë që dëshironi dhe krijoni një rol ku mund të shfaqni lirshëm kreativitetin juaj.
4. Për çka jam mirënjohës?
Ne vazhdimisht jemi duke u përpjekur të fitojmë më shumë para, të arrijmë më shumë dhe të përmirësojmë veten, e që shpesh harrojmë edhe familjen, miqtë dhe shëndetin tonë. Sidoqoftë, është e rëndësishme të hedhim një hap prapa dhe të jemi mirënjohës për atë që kemi. Të qenurit mirënjohës nuk do të thotë që duhet të jemi të vetëkënaqur dhe të ndalemi së përpjekuri për të përmirësuar jetën tonë. Përkundrazi, kjo nënkupton që ne duhet të llogarisim bekimet tona dhe të vlerësojmë veten dhe njerëzit që na rrethojnë.
Në fakt, bazuar në disa studime njerëzit që praktikojnë mirënjohje kanë tendencë të kenë besim, gjumë, si dhe humor më të mirë. Të jesh mirënjohës gjithashtu ulë shanset për të përjetuar stres dhe ankth.
5. Cilat janë vlerat e mia dhe sa jam i sinqertë ndaj tyre?
Vlerat janë grupi juaj personal i besimeve dhe parimeve etike që udhëheqin sjelljen dhe vendimet tuaja. Fatkeqësisht, shumë prej nesh nuk marrin asnjë moment për të identifikuar se cilat janë vlerat tona. Vlerat që posedoni ju ndihmojnë të përcaktoni se çfarë është e rëndësishme për ju, si dhe ju ndihmojnë të bëni dallimin midis të mirës dhe të keqes.
Ato ju ndihmojnë të identifikoni gjërat që janë të rëndësishme për ju dhe ju lejojnë të hiqni dorë nga gjërat që nuk janë të rëndësishme. Momentin kur me të vërtetë kuptoni se çfarë jeni duke kërkuar në jetë, po ashtu edhe gjasat që të ndikoheni nga mendimet e të tjerëve zvogëlohen./KosovaPress