Përsëritet votimi i parë për president

- in Lajme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar procesin e votimit për zgjedhjen e presidentit të vendit, por nuk ka qenë i mjaftueshëm numri i deputetëve që kanë votuar, andaj është përsëritur raundi i parë i votimit.

Fillimisht kanë votuar vetëm 78 deputetë, ndërsa deputetët e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Valentina Bunjaku nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputeti Salih Zyba nga komisioni për organizimin e votimit për president, bëri të ditur se në proces të votimit kanë marrë pjesë 78 deputetë, ndërsa nevojitet që të votojnë të paktën 80 deputetë.

Zyba: Në proces të votimit kanë marrë pjesë 78 deputetë

(Video)

“Në emër të komisionit konstatojmë se në proces të votimit kanë marrë pjesë 78 deputetë kështu që mbetet të vendoset me procedura të tjera”, tha Zyba.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se sipas procedurave, nëse në raundin e parë nuk votojnë së paku 80 deputetë, atëherë duhet të përsëritet votimi i parë.

Konjufca: Të përsëritet votimi i parë

(Video)

“Nëse në votim marrin pjesë më pak se 80 deputetë konsiderohet se nuk ka kuorum për vendimmarrje, andaj duhet të përsëritet votimi i parë”, tha Konjufca.

Në garë për presidentë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta./G.Kadrija/ /KP