PËRSE STAGNOI “DASHURIA E BJESHKËVE TË NEMUNA 3” DHE SA KA SHPRESË PËR FINALIZIMIN E TIJ? (VIDEO)

- in Kult

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” është pa dyshim një nga filmat më ikonikë shqiptarë, i cili ndër vite i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të mbetet në listën e filmave të preferuar të shumë kujt.

Pjesa e tij e parë daton që nga viti 1997, në kohën kur legjenda e aktrimit, Faruk Begolli ishte ende gjallë dhe kishte luajtur një nga rolet kryesore të filmit.

Por u deshën plot 16 vite që të realizohej pjesa e dytë e këtij filmi, e cila u publikua në vitin 2014 dhe pati një pëlqyeshmëri mjaft të madhe, ani pse u vërejt dukshëm mungesa e disa aktorëve legjendarë të pjesës së parë.

Në vitin 2016, ekipi i produksionit “Labia” iu përvesh punës që të mos ndalej por të realizonte pjesën e tretë të filmit “Dashura e Bjeshkëve të Nemuna”, dhe kështu në bjeshkët e nemuna të Rugovës nisën edhe xhirimët për këtë film, por DBN 3 nuk arriti të finalizohej asnjëherë.

Në një bisedë për Telegrafin, producenti i filmit “Dashura e Bjeshkëve të Nemuna”, ka treguar se cila është arsyeja e stagnimit të këtij filmi për vite të tëra.

“Plani ishte që pjesa e tretë e filmit DBN3 të finalizohej tri vite më parë, por për shkak të mungesës së fondeve, mungesës së vullnetit të spozorëve për t’a mbështetur realizimin e filmit, si producent i filmit jam detyruar të pres ditë më të mira duke mos hequr dorë asnjëherë nga projekti dhe finalizimi i tij”, ka thënë Kryeziu.

I njëjti ka bërë të ditur se ‘trailer’-i i publikuar në kanalin YouTube ka shërbyer si një pilot-projekt, që t’iu prezantohej sponzorëve, me shpresën se filmi do të gjente financimin e duhur për jetësimin e tij.

“Katër vite më parë i realizuam disa skena të filmit që zgjaten vetëm një ditë në Rugovë dhe një ditë tjetër jo të plotë në Tiranë me qëllim të kemi material për ‘trailer’-in e filmit në mënyrë që të jua prezentojmë sponzorëve dhe donatorëve të mundshëm në formën më të kompletuar idenë dhe përmbajtjen e filmit. Si producent edhe i dy filmave të mëparshëm të DBN 1 dhe 2 e vlerësova që më duhet një buxhet i konsiderueshm që të mbajë dhe arrijë nivelin e dy filmave të mëhershëm dhe në konsultim me regjisorin dhe skenaristin e filmit, Ekrem Kryeziun, u pajtuam që mos të ngutemi dhe të gjejmë mundësi dhe formë të financimit te projektit në fjalë. Filmi kërkon buxhet dhe per të realizuar në mënyre dinjitoze kërkesat e skenarit që është tejet interesant dhe provokues për publikun vendosa për një shtyrje të xhirimeve”, ka thënë për Telegrafin Shkumbin Kryeziu.

Producenti Shkumbin Kryeziu gjatë xhirimeve të DBN 3 (Foto: Arsim Berisha)

Megjithatë, stagnimi i DBN 3 duket se nuk e ka gjatë, pasi producenti i njohur thotë se ndjehet më shumë se asnjëherë tjetër i motivuar për ta çuar deri në fund realizimin e tij.

“Jam tejet i motivuar që ta çoj deri në fund këtë projekt dhe me ndihmën dhe angazhimin e tërë ekipit jam i bindur se do të ia dalim ta finalizojmë me plot pasion dhe profesionalizëm. Natyrisht besojmë që do të kemi mbështetjen e disa kompanive dhe nga disa ne kemi marrë premtime që do ta mbështesin filmin sikurse në të kaluarën që nuk ka munguar mbështetja nga sponzorët tradicionalë të produksionit Labia”, thekson Kryeziu./Telegrafi