Janë vetëm tre-katër persona në Kosovë, që e kanë dhe e dinë draftin e Asociacionit, të cilin, Peshëshja diplomatike nga BE dhe ShBA, e solli të shtunën e kaluar. Kjo katërshe janë: Presidentja Osmani, kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca dhe mund të jetë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. E meqë ky draft ekziston në sirtarët e kësaj katërshe në Kosovë, a ishte mesazhi i djeshëm i Vjosa Osmanit për Glauk Konjufcën, që ky i fundit të mos ngutet në vlerësime, duke qenë që draftin, dikush tjetër nuk e di dhe as nuk e ka…
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor, po është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk është kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, deklaroi kryeparlamentari Glauk Konjufca, para pak ditësh, lidhur me draftin e statutit të Asociacionit që Pesëshja e solli në Kosovë.
Për dallim prej Konjufcës, që ‘sipërfaqësisht’ ka arritur ta ezaurojë dokumentin dhe përputshmërinë e tij me Kushtetutën e Kosovës, është presidentja Vjosa Osmani e cila sugjeron që ‘nuk duhet të kemi nguti në këtë temë’ – më konkretisht, në vlerësueshmërinë kushtetuese të saj.
“E kam lexuar dhe analizuar me vëmendje të thellë, gjërë e gjatë, por vlerësimet e mia do t’i jap edhe me shkrim, në momentin që ndodhin hapat e paraparë.
Pra nëse kemi proces nënshkrimi, pastaj kur shkon ky draft-statut në Kushtetuese, si presidente do t’i dërgoj komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti, e vlerësoj si Presidente, si institucion duhet të sqarohen në mënyrë qe zbatimi të jetë në plotni të plotë me Kushtetutën tonë.
Nuk do të ngutesha të bëj vlerësime për përputhshmërinë, derisa kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese e paraparë edhe në vetë atë proces pra nuk mendoj se është serioze tani të shpallet në harmoni apo jo sepse kjo detyrë do t’i takojë ekskluzivisht në Gjykatë Kushtetuese”, tha Presidentja Osmani dje, përcjell Periskopi.
Presidentja harron ‘Asociacionin – fillimisht me ShBA-të’
Tri ditë pas 24 shtatorit, agresionit serb në Banjë të Kosovës, Presidentja Osmani në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, do të kërkonte që ‘Asociacioni të bëhej me SHBA-të’.
Deklarata e thënë më 27 shtator, është harruar tashmë nga Presidentja dhe temë diskutimi është: plani modern evropian për Asociacionin.
“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, pati deklaruar Osmani.
/Demokracia