Në këtë përmbledhje sjellim lajmet kryesore nga konflikti Rusi-Ukrainë, që nga dita e parë e pushtimit. Pushtimi i Ukrainës nisi mëgjesin e së enjtes, më 24 shkurt, me sulmet raketore ruse në qytetet dhe bazat ushtarake në Ukrainë. Sulmet nga ana e Rusisë ishin parashikuar për javë të tëra nga Perëndimi. Ky po cilësohet si konflikti më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.
Përgatiti: Valjeta Kosumi
Dita 15
- Presidenti uKrainas, Volodymyr Zelensky ka dënuar ashpër sulmin e së mërkurës në maternitetin e spitalit të Mariupolit, të cilin Moska vazhdon ta mohojë dhe sërish kërkoi zonë të ndalimfluturimit mbi vendin e tij .Vlerësimi zyrtar i SHBA-së për numrin e rusëve të vrarë në dy javët e para të luftës është nga 5,000 deri në 6,000, thonë zyrtarët amerikan, raporton BBC. Numri i trupave ruse të plagosura vlerësohet të jetë nga 15 mijë deri në 18 mijë, duke u nisur nga supozimet se shkalla e të plagosurve është zakonisht trefishi i shifrës së të vrarëve.Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës kanë arritur në Antalia të Turqisë, ku më vonë gjatë ditës pritet t’i zhvillojnë bisedimet për paqe, të parat e këtij niveli të lartë.
- Zv/presidentja amerikane, Kamala Harris ndodhet në Poloni, një ditë pasi administrata amerikane refuzoi propozimin e këtij vendi për të transferuar flotën e saj të avionëve në SHBA dhe jo drejtpërdrejtë në Ukrainë.
- Britania e Madhe thotë se Moskës i është dashur të dërgojë trupa rekrutuese në Ukrainë, pavarësisht insistimit të presidentin rus Putin se kjo nuk do të ndodhte.
- Raportohet se katër njerëz janë vrarë – në mesin e të cilëve dy fëmijë – pas bombardimit nga forcat ruse të një ndërtese banimi në afërsi të qytetit të Kharkivit, njoftojnë Shërbimet Shtetërore Emergjente të Ukrainës.
- Ukraina do të hapë shtatë “korridore humanitare” të enjten, për të ndihmuar civilët që të ikin nga qytetet e rrethuara nga forcat ruse, përfshirë qytetin e Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja Iryna Vereshchuk.
- Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka udhëzuar specialistët nga vendi i tij që të rregullojnë problemet e furnizimit me energji elektike në centralin bërthmor në Çernobil, në Ukrainë, njofton agjencia e lameve Belta.
- Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka thënë se në takimin e nivelit të lartë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, nuk është arritur ndonjë progres.Kërkesës së Ukrainës për hapjen e korridoreve humanitare nga Mariupoli dhe mundësisë së një armëpushimi 24 orësh, ministry Lavrov i është përgjigjur negativisht, duke thënë se nuk është në kompetencat e tij që të marrë vendime rreth këtyre kërkesave.Ministri rus Lavrov tha se civilët ukarinas po përdoren si mburoja njerëzore. Ai tha se operacionet ushtarake ruse po shkojnë sipas planit.Ministri ukrainas Kuleba tha se pala ukrainase është e gatshme që t’i vazhdojë bisedimet, në përpjekje për të arritur paqe dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vuajteve të civilëve ukrainas.
- Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se ka vënë sanksione ndaj shtatë biznesmenëve të njohur rusë, përfshirë miliarderin Roman Abramovich.
- Rusia është larguar nga Këshilli i Evropës, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse. Në një deklaratë, ministria tha se shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë qenë “jo miqësore ndaj Rusisë”, duke i akuzuar ato për keqpërdorim të shumicës në komitetin e ministrave të Këshillit.
- Një konvoj me ndihma humanitare, që po provonte të arrinte në Mariupol, është kthyer mbrapa për shkak të luftimeve atje, ka thënë zv/kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.Komentet e saj vijnë pas raportimeve të Këshillit të qytetit të Mariupolit se po vazhdojnë bombardimet ruse.
- Në kohën kur po vazhdon agresioni rus në Ukrainë, në Rusi po vazhdojnë protestat kundër luftës. Protestat që bëjnë thirrje për ndalje të luftës kanë vazhduar në mbi dhjetë qytete të ndryshme në Rusi, përfshirë kryeqyetin, Moskën.
- Autoritetet lokale në qytetin e rrethuar të Mariupolit kanë thënë se forcat ruse kanë filluar të bombardojnë “korridorin e gjelbër”, i cili ka për synim evakuimin e banorëve të Mariupolit.
- Sergiy Makogon, kreu i operatorit të rrjetit transit të gazit të Ukrainës (OGTSU) ka kërkuar që forcat ruse të tërhiqen nga dy stacionet e kompresorëve të gazit në Ukrainën lindore. Makogon tha se trupat ruse kanë marrë kontrollin dhe po mbajnë të bllokuar stafin në stacionet Novopskov dhe Kupiansk, duke thënë se pushtimi i linjave përbën një rrezik për furnizimet e burimit të energjisë në Evropë.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë të enjten në Varshavë se SHBA-ja është e përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.
- Forcat ruse deri më tani kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, ndërtesa dhe asete të tjera fizike në Ukrainë, në vlerë prej të paktën 100 miliardë dollarë.
- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u ka thënë rusëve në një fjalim televiziv se nuk ka asgjë që vendi nuk mund ta zgjidh, përderisa federata ruse po përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.
- Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutuan të enjten në Versajë të Francës mënyrat për të shkëputur varësinë e Evropës nga nafta dhe gazi rus, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
- Zyrtarët në Ukrainë thonë se forcat ruse kanë rifilluar bombardimet e qytetit në Mariupol, një ditë pasi një spital u godit nga një sulm ajror, duke lënë të vrarë të paktën 4 persona, përfshirë edhe një fëmijë.
- Ministria ruse e Energjisë ka njoftuar se një ekip i specialistëve bërthamorë të Bjellorusisë ka riparuar dëmet, duke rikthyer furnizimin me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia janë “të bashkuara” në politikën e tyre ndaj Ukrainës.
- Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko ka thënë se mbi 2 milionë banorë janë larguar nga Kievi.
- Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur sot alarmin se lufta e Rusisë në Ukrainë ndikon në gati një të tretën e eksporteve botërore të grurit dhe elbit.
Dita 14
- Rusia tha se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare të mërkurën për njerëzit që ikin nga Kievi dhe katër qytete të tjera të Ukrainës.
- McDonald’s, PepsiCo, Coca-Cola dhe Starbucks kanë ndaluar shitjet e produkteve të tyre në Rusi.Kompanitë e njohura amerikane iu bashkuan veprimeve të qeverisë amerikane për të sanksionuar Rusinë, për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
- Qeveria britanike ka thënë se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka shënuar “një sukses të konsiderueshëm” kundër aeroplanëve rusë. Kjo me gjasë ka parandaluar Moskën që të arrijë “çfarëdo kontrolli në ajër”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.
- Ukraina do të bëjë përpjekje që t’i largojë civilët përmes gjashtë “korridoreve humanitare”, përfshirë qytetin e rrethuar të Mariupolit, ka thënë zv/kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk. Përmes një video-mesazhi, ajo tha se forcat ukrainase janë pajtuar që t’i ndalin bombardimet në ato zona nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps ka mohuar se Britania e Madhe po qëndron mbrapa disa shteteve evropiane kur bëhet fjalë për pranimin e refugjatëve nga Ukraina. Ai i ka thënë BBC-së se 760 refugjatë ukrainasë kanë arritur deri më tani në Britani të Madhe, duke mbetur mbrapa vendeve fqinje, përfshirë Irlandën, e cila ka pranuar mbi 2,000 refugjatë që nga fillimi i krizës. Ai ka argumentuar duke thënë se Britania “duhet ta dijë se kush po hyn në vend”.
- Kryetari i qytetit Sumy tha se civilët kanë filluar të ikin nga qyteti verlindor i Ukrainës me veturat e tyre private, pasi është siguruar “korridori humanitar”, për të dytën ditë me radhë.
- Një deputet ukrainas i ka thënë BBC-së se autoritetet lokale në qytetin e Mariupolit e kanë njoftuar se qyteti ka vetëm edhe 3 ditë furnizime me ushqime, përpara se të fillojë uria.
- Qeveria e Ukrainës do të ndalojë eksportin e mallrave bazike bujqësore, përfshirë grurin, misrin, kripën dhe mishin, sipas një rezolute të kabinetit qeveritar, që ka kaluar të martën. Ukraina është një prej furnizuesve më të mëdhenj në Evropë sa i përket produkteve bujqësore, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
- Moska do ta arrijë qëllimin e saj për të siguruar një Ukrainë neutrale, por do të preferonte që këtë ta bëjë përmes bisedimeve, sesa përmes konfliktit, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
- SHBA tha se oferta e Polonisë për të dërguar avionët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë, përmes bazës ajrore amerikane në Gjermani, ngrit “shqetësime serioze” për të gjithë strukturën e aleancës së NATO-s.
- Presidenti i Turqisë, Regep Tayp Erdogan ka ofruar të ndërmjetësojë krizën në Ukrainë. Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë janë pajtuar të takohen për bisedime, të cila pritet të zhvillohen të enjten në Turqi.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka përsëritur thirrjen për aleatët e Kievit për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke paralajmëruar se nëse nuk vendoset kjo vendi i tij do të përballet me një “katastrofë humanitare”.
- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë 160 individë të tjerë, ligjvënës dhe biznesmenë rusë.
- Ukraina i bëri thirrje Rusisë për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën për të lejuar riparimet e një linje energjetike në termocentralin bërthamor të Çernobilit, duke paralajmëruar se mund të ketë një rrjedhje rrezatimi nëse vazhdon ndërprerja e energjisë elektrike.
- Presidenti i Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e një “sulmi të drejtpërdrejtë” në një kompleks spitalor në Mariupol, pjesë e së cilit është edhe materniteti dhe pediatria. “Njerëz, fëmijë janë nën rrënojat,” shkroi Zelenskyy në Twitter, duke e quajtur “mizori” sulmin rus.
- Autoritetet në Kremlin kanë hedhur poshtë akuzat se po shkelin një armëpushim për të cilin u ra dakord për të lejuar evakuimin e civilëve, pavarësisht sulmit në spitalin e Mariupolit dhe vende të tjera. Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Ukraina kishte bombarduar pozicionet ruse në periferi të Kievit, si dhe në Kharkiv, Mariupol dhe Sumy.
Dita 13
- Në ditën e 13-të të pushtimit rus në Ukrainë, ofensiva ruse po ngadalësohet, thonë autoritetet ukrainase, ndërsa banorët vazhdojnë të largohen nga qytetet e bombarduara.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy sërish ka folur për rezistencën dhe guximin e popullit ukrainas për ta mbrojtur vendin nga agresioni rus. Ai thotë se do të qëndrojë në Kiev dhe nuk do ta dorëzojë qytetin, komunitetin e Ukrainën, duke theksuar se nuk ka frikë nga askush.
- Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për organizimin e një korridori humanitar, për t’i lejuar civilët që të ikin nga Sumy, i cili është rrethuar pjesërisht nga forcat ruse. Të hënën u raportua për 9 persona të vrarë nga ky qytet. Armëpushimi, për të cilin janë pajtuar palët, pritet të zgjasë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21:00.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se një zonë ndalim-fluturimi do ta dëmtonte si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë. “Nëse kemi një zonë ndalim-fluturimi, askush nuk fluturon”, tha Wallace.
- Njerëzit kanë nisur të evakuohen nga Irpini, një qytet në perëndim të Kievit, i cili ka përjetuar luftime të ashpra gjatë ditëve të fundit.
- Një analizë e Human Rights Watch thotë se sulmet e së dielës në Irpin sugjerojnë se janë shkelur ligjet e luftës nga Rusia gjatë bombardimit të qytetit, i cili ndodhet në perëndim të Kievit.
- Udhëheqësi i UNHCR-së, Filippo Grandi ka thënë se 2 milionë njerëz kanë lëshuar deri më tani Ukrainën, në kërkim të një vendi më të sigurt.
- Njësia e Intelegjencës së ushtrisë së Ukrainës tha se forcat ukrainase kanë vrarë një gjeneral rus në afërsi të qytetit të rrethuar të Kharkivit – komandanti i dytë i lartë rus që vritet që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë komente lidhur me këtë deklaratë të palës ukrainase. Ukraina thotë se forcat e saj kanë vrarë më shumë se 11 mijë trupa ruse. Rusia ka konfirmuar humbjen e 500 trupave. Asnjëra palë nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të viktimave ukrainase.
- Gjiganti britanik i naftës, Shell ka kërkuar falje për blerjen e një dërgese me zbritje javën e kaluar të naftës së papërpunuar ruse dhe thotë se do të tërhiqet tërërsisht nga çdo përfshirje në hidrokarburet e këtij vendi.
- Rusia ka paralajmëruar se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi vazhdon sanksionet ndaj naftës ruse.
- Antony Blinken ka thënë se është “urgjente” që vendet evropiane të ndalojnë së mbështeturi te energjia ruse, sidomos tani kur po vazhdon pushtimi i Ukrainës.
- Në ditën e 13- të të pushtimit dhe pajtimit për një armëpushim për të lejuar civilët të largohen nga qyteti Sumy dhe qyteti Irpin, që ndodhet në afërsi të Kievit, konvojet ruse vazhdojnë të mbesin larg Kievit.
- Banka Botërore ka miratuar një paketë kredie dhe grante prej 723 milionë dollarësh për Ukrainën, përderisa ky vend po vazhdon betejën kundër pushtimit rus.
- Të paktën 21 civilë, përfshirë edhe dy fëmijë, janë vrarë sot nga një sulm ajror rus në qytetin ukrainas Sumy. Autoritet në Ukrainë kanë njoftuar se civilët janë goditur në një zonë derisa civilët po përpiqeshin të evakuoheshin.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur ndalimin e importeve të naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një hap tjetër në vargun e sanksioneve në rritje kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. CNN raporton se Britania e Madhe pritet t’i bashkohet gjithashtu arministratës amerikane, në shpalljen e ndalimit të importeve të naftës ruse në Mbretërinë e Bashkuar.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është drejtuar Parlamentit britanik dhe është zotuar të vazhdojë të luftojë kundër Rusisë. Dy javë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, Zelensky citoi William Shakespeare, falënderoi kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe bëri thirrje për rritje të sanksioneve kundër Kremlinit.”Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbim. Do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga çmimi i kësaj”, ka thënë lideri i Ukrainës
- Drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës si “një katastrofë të madhe humanitare”.
- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të jetë kurrë i suksesshëm në pushtimin e gjithë Ukrainës. “Putini duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare, pa marrë parasysh koston”, tha Biden në konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë. Biden tha se Putini mund të vazhdojë luftën e ashpër, por Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për të. Ai shtoi se nëse SHBA nuk i përgjigjet sulmit rus, kostoja e lirisë për popullin amerikan do të jetë e madhe.
Dita 12
- Ukraina dhe Rusia pritet të vazhdojnë bisedimet. Palët janë takuar edhe dy herë të tjera, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por pa ndonjë rezultat konkret.
- Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi njoftoi se më shumë se 1,5 milion refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje që nga fillimi i ofensivës ruse.
- Ushtria ruse të hënën do t’i ndalë bombardimet dhe do të hapë korridoret humanitare në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Korridoret, të cilat gjithashtu do të jenë të hapura për qytetet Kharkiv, Mariupol dhe Sumy, po hapen pas kërkesës së presidentit francez, Emmanuel Macron, thuhet në këtë raportim.
- Ukraina thotë se propozimi rus për korridoret humanitare, për t’i çuar refugjatët në Bjellorusi apo Rusi është “tërësisht i pamoralshëm”.Qytetarët ukrainas duhet të lejohen që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre nëpërmjet territorit ukrainas, ka thënë një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
- Rusia tha të hënën se 6 korridore humanitare do të hapen përreth qyteteve ukrainase, për t’u mundësuar qytetarëve që të ikin.
- Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka kërkuar nga Putini për hapjen e korridoreve humanitare nga qytetet ukrainase për në Rusi dhe Bjellorusi, ka thënë zyra e Presidencës franceze.Moska më herët njoftoi për rrugët e evakuimit nga Kharkivi, Kievi, Mariupoli dhe Sumy, pasi Putini dhe Macroni zhvilluan një bisedë telefonike të dielën. Në njoftim u tha se veprimi është marrë si përgjigje ndaj një “kërkese personale” nga lideri francez. Por, Presidenca franceze i tha agjencisë së lajmeve AFP se një kërkesë e tillë nuk është bërë.
- Kryqi i Kuq kinez do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, ka thënë ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, duke përsëritur thirrjen për vazhdim të bisedimeve diplomatike. Ai ka thënë se miqësia mes Kinës dhe Rusisë është “e fortë” dhe se perspektiva për bashkëpunim është shumë e gjerë.
- Rusia ka refuzuar të dërgojë një delegacion në gjykatën e lartë të Kombeve të Bashkuara, në një seancë dëgjimore, pas kërkesës së Ukrainës që bën thirrje për detyrim të Rusisë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës.
- SHBA dhe aleatët janë të gatshëm “që të përballen me çfarëdo kërcënimi”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Këtu përfshihet edhe dërgimi i 7 mijë trupave amerikane në Evropë, si dhe ripozicionimi i të tjerëve “për të forcuar krahun lindor të NATO-s”.
- Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis ka bërë thirrje për vënien e embargos ndaj shitjeve ruse të energjisë. “Burimet e energjise që ne i importojmë paguajnë për operacionet ushtarake të rusëve”, ka thënë Landsbergis gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga aleatët e Kievit që të furnizojnë Ukrainën me avionë ushtarakë, si dhe të bojkotojnë naftën ruse, e po ashtu edhe eksportet e tjera.
- Rusia i ka thënë Ukrainës se është gati të ndalojë “menjëherë” operacionet e saj ushtarake, nëse Kievi përmbush një listë kushtesh të Kremlinit. Zëdhënsi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka thënë Reuters se Moska po kërkon që Ukraina të ndërpresë veprimet ushtarake, të ndryshojë kushtetutën e saj për të ruajtur neutralitetin, të njohë Krimenë si territor rus dhe të njohë republikat separatiste, Donetsk dhe Lugansk si shtete të pavarura.
- Kryeministri hungarez Viktor Orban ka nënshkruar sot një dekret që lejon vendosjen e trupave të NATO-s në pjesën perëndimore të Hungarisë.
- Ekipet negociatore të Ukrainës e Rusisë nisën të hënën një rund të tretë bisedimesh, ku është paralajmëruar se do të diskutohet për armëpushim dhe korridore humanitare.
- Autoritet në Ukrainë thonë se granatimet e vazhdueshme të trupave ruse po pengojnë largimin civilëve nga qytetet e rrethuara.
- Reuters raporton se në ditën e 12-të të pushtimit të Ukrainës, sulmet vazhdojnë, pavarësisht një propozimi nga Rusia për të krijuar rrugë të sigurta shpëtimi për civilët.
- Ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën të shqyrtojnë ofertat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për t’u anëtarësuar në BE, duke filluar procesin e gjatë drejt pranimit të tyre final.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të mbajë një fjalim që po cilësohet si “historik” në parlamentin e Britanisë së Madhe. Përmes një video- lidhjeje, lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do t’u drejtohet deputetëve britanikë në një fjalim që Parlamenti e aplikon për herë të parë në këtë formë, duke pezulluar për këtë ditë punën zyrtare parlamentare.
Dita 11
- Situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolit është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24”, të dielën në mëngjes. Në dy qytete në rajonin verior të Sumyt nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë, ka thënë këshilltari i qeverisë, Vadim Denisenko.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u tha ukrainasve se ata e kanë “përballuar goditjen” e pushtimit rus dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të luftojnë.“Duhet të dilni dhe ta dëboni këtë të keqe nga qytetet tona,” tha ai.
- Thirrja e tubimit erdhi së bashku me një lutje drejtuar presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të siguruar më shumë avionë luftarakë për Ukrainën.
- Një armëpushim i përkohshëm u shpall në qytetin jugor Mariupol, nga ora 10:00-21:00 me orën lokale, njoftoi Këshilli i qytetit. Sipas këtij njoftimi, civilët do të jenë në gjendje të evakuohen përgjatë një rruge për të cilën janë dakorduar, nga ora 12:00 me kohën lokale.
- Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me muaj, nëse jo me vjet, tha për Sky News zv/kryeministri britanik, Dominic Raab.
- Mbretëria e Bashkuar i detyrohet popullit të Ukrainës, Evropës dhe botës që të sigurohet që lufta në Ukrainë të mos përshkallëzohet, tha për BBC shefi i shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Sir Tony Radakin.
- BBC raporton se civilët po largohen nga qyteti Irpin, në veri-lindje të Kievit, nga bombardimet e shumta ruse. Po ashtu raportohet se së paku 3 civilë janë vrarë nga rusët në një urë të dëmtuar, të cilën po e përdorin për ikje.
- Këshilli i qytetit të Mariupolit, i cili njoftoi për armëpushim dhe përpjekje të re të evakuimit në mëngjes, ka konfirmuar se ky plan ështa anuluar. Sipas këshillit, granatimet ruse e kanë bërë të pamundur evakuimin e sigurt të civilëve.
- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai francez, Emmanuel Macron kanë biseduar të dielën sërish në telefon për 45 minuta, njofton presidenca franceze. Sipas palës franceze, Macron i ka bërë thirrje Putinit që t’i japë fund luftës dhe të sigurohen centralet bërthamroe të Ukrainës. Putin i tha homologut të tij francez se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj përmes “negociatave ose luftës”, tha presidenca franceze.
- Mëngjesin e së dielës Putin foli edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Mësohet se Erdogan e ftoi Putinin për ndërprerje të armiqësive.
- Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka paralajmëruar se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin jugor të Odesës. Raportimet tregojnë për postblloqe të shumta ushtarake në qytet, por rrugët mbeten të qeta dhe kryesisht boshe.
- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar “disa” sulme në qendrat shëndetësore në Ukrainë, ndërsa disa të tjera janë duke u hetuar, tha drejtori i OBSH-së. “Sulmet shkaktuan vdekje dhe lëndime të shumta”, shkroi Tedros Adhan Gebrejesus në Twitter.
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë me Poloninë për të furnizuar Ukrainën me 28 avionë luftarakë MiG-29, që do të mund të përdoreshin nga Forcat Ajrore të Ukrainës në përballjen e tyre me sulmet ruse.
- Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se deri më tani ka konfirmuar vdekjen e 364 civilëve në Ukrainë, që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
- Mbi 3,500 protestues rusë që kanë kundërshtuar luftën në Ukrainë raportohet se janë arrestuar të dielën në mbarë Rusinë, ka raportuar Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, duke cituar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se ka biseduar të dielën në telefon me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Ai e ka informuar Johnson për rezistencën ndaj agresorit rus dhe bashkërisht kanë diskutuar për ndihmën e mëtejme perëndimore për ushtrinë ukrainase.
- Ukraina e ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) se menaxhmenti në centralin bërthamor Zaporizhja është nën urdhrat e komandantit të forcave ruse, që po e kontrollojnë këtë objekt. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, tha se është “jashtëzakonisht i shqetësuar” lidhur me zhvillimet e fundit.
- Patrulla kufitare polake njoftoi se pothuajse 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina dhe kanë hyrë në Poloni, duke ikur nga lufta, e cila filloi më 24 shkurt.
Dita 10
- Kryebashkiaku i Mariupol, Vadym Boichenko, ka dhënë deklaratë emocionale pas njoftimit të korridorit humanitar nga qyteti i tij. “Nën kushtet e vazhdueshme të bombardimeve brutale të okupuesve, nuk ka zgjidhje tjetër pos t’u ofrojmë banorëve mundësinë që të largohen sigurt nga qyteti”, ka thënë ai.
- Mbi 66 mijë ukrainas janë rikthyer nga jashtë për të luftuar për vendin, thotë ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleskii Reznikov.
- Armëpushimi i dakorduar midis Rusisë dhe Ukrainës për lejimin e civilëve të largohen nga qyteti Mariupol nuk po mbikqyret plotësisht, njofton Këshilli i qytetit. Në një mesazh të postuar në Telegram, Këshilli thotë se luftimet po vazhdojnë në regjionin e Zaporizhzhia, ku edhe përfundon korridori humanitar.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shprehet i bindur se lufta do të përfundojë shpejt. Presidenti ukrainas, nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook, ka thënë se së shpejti do t’iu thotë njerëzve që të kthehen në vendin e tyre.
- Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace thotë se zona e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë jo vetëm se do ta rriste rrezikun për aleatët e NATO-s, të cilët do të mund të konfrontoheshin direkt me avionët rusë, por do të pengonte po ashtu mundësinë e Ukrainës të mbronte veten.
- Mijëra njerëz janë mbledhur në shumë qytete të botës për të protesuar kundër agresionit rus në Ukrainë. Protesta po mbahen në Zvicërr, Kroaci, Tajlandë dhe Britani të Madhe.
- Protesta u mbajtën edhe në Ukrainë, në Kherson, qytetin e okupuar nga rusët. Rreth 2 mijë njerëz dolën në rrugë për të protesuar nga mëngjesi. Ata marshuan drejt qendrës, duke mbajtur flamujt e Ukrainës dhe duke kënduar himnin kombëtar.
- Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një paraqitje televizive, thotë se cilido shtet që vendos zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të konsiderohet se është bashkuar në luftë në Ukrainë.“Çdo lëvizje në këtë drejtim do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur nga ai vend”, tha presidenti rus.
- Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm 400 njerëz u evakuuan nga Volnovakha dhe vendbanimet përreth gjatë armëpushimit afatshkurtë të së shtunës. Plani fillestar ishte evakuimi i më shumë se 15,000 civilëve nga rajoni gjatë armëpushimit të përkohshëm, i cili filloi në mëngjes.
- Ministria e Jashtme e Ukrainës fajësoi Rusinë për mosrespektimin e armëpushimit. Ajo i bëri thirrje komunitetin ndërkombëtar ta dënojë Rusinë për atë që e cilëson si “shkelje të rënde të marrëveshjeve për hapjen e korridoreve humanitare”. “Bombardimi i vazhdueshëm e bën të pamundur hapjen e korridoreve humanitare për evakuimin e sigurt të civilëve, dërgimin e ilaçeve dhe ushqimit”, thuhet në reagimin e ministrisë në Twitter.
- Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha të shtunën se pret rezultate pas bisedimeve që zhvilloi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai tha se pret që në ditët në vijim të vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe që Ukraina të marrë armë të reja. Sekretari Blinken dhe ministri Kuleba janë takuar në kufirin midis Polonisë dhe Ukrainës të shtunën, dhe kanë biseduar për përpjekjet e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të izoluar Rusinë, me shpresën që sanksionet do ta detyrojnë Moskën që t’i japë fund luftës.
- Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve për përfundimin e armiqësive të hënën, tha negociatori ukrainas David Arakhamiya.
Dita 9
- Të premten, autoritetet ukrainase thanë se një zjarr shpërtheu në një termocentral bërthamor në Ukrainë, pas bombardimeve nga forcat ruse.
- Zjarri u raportua se ka rënë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, që ndodhet në Enerhodar, në juglindje të Ukrainës. Centrali është më i madhi i këtij lloji në Ukrainë dhe përmban gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të vendit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
- Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi tha të premten se ndërtesa ishte një qendër trajnimi dhe “jo pjesë e reaktorit”.
- Shumë njerëz janë vrarë ose plagosur nga zjarri që shpërtheu nga bombardimet ruse të centralit bërthamor, njoftoi ministria e jashtme e Ukrainës.
- Shtete e Bashkuara të Amerikës e kanë quajtur të rrezikshëm sulmin rus në termocentralin më të madh bërthamor të Evropës. Në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha: “Me ndihëm e Zotit, bota shmangi për pak një katastrofë bërthamore mbrëmë”.
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar “pamaturinë” e Rusisë për granatimet ndaj një termocentrali bërthamor në Ukrainë dhe i ka kërkuar Moskës të ndalojë luftën kundër Ukrainës.
- Në ditën e nëntë të luftimit, Ukraina thotë se rreth 9,166 trupa ruse janë vrarë në konflikt. Kjo shifër u konfirmua edhe më herët nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se NATO do “të mbrojë çdo milimetër” të territorit të anëtarëve. Ministrat e jashtëm nuk përkrahën thirrjet e Ukrainës për një zonë ndalim-fluturimi për të luftuar pushtimin rus.
- Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë që të mos “ekzagjerojnë situatën”, duke vendosur më shumë sanksione ndaj shtetit të tij.
- Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar se Ukraina po përballet me “kriza shkatërruese humanitare”, teksa numri i viktimave po rritet dhe spitalet me vështirësi po e menaxhojnë situatën.
- Zyrtarët e qeverisë në Ukrainë kanë thënë se trupat ruse janë zmbrapsur nga qyteti jugor, Mykolaiv. BBC raporton se Forcat Tokësore të Ukrainës shfaqën pamje që tregonin rimarrjen e aeroportit të qytetit.
Dita 8
- Një zyrtar i mbrojtjes amerikane thotë se një kolonë masive me automjete ushtarake ruse pranë Kievit ka “ngecur” për shkak të mungesës së karburantit dhe ushqimit.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka publikuar një video natën vonë, duke lavdëruar guximin e qytetarëve në mbrojtjen e vendit të tyre.
- Një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë është nisur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë.
- Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit, thotë OKB.
- Rusia ka pranuar për herë të parë se ka pësuar viktima ushtarake gjatë sulmit të saj në Ukrainë, rreth 500 personel ushtarak të vrarë dhe rreth 1,600 të plagosur.
- Franca kërkon nga qytetarët e saj ta lëshojnë Rusinë
- Edhe shtetet e tjera kanë këshilla të ngjashme për qytetarët e tyre.
- Zyra e Jashtme britanike “këshillon qytetarët e saj kundër çdo lloj udhëtimi në gjithë Rusinë”.
- Departamenti amerikan i Shtetit këshillon njëlloj. Sipas departamentit, janë disa faktorë, që përfshijnë “ngacmim të mundshëm kundër qytetarëve amerikanë nga zyrtarë të qeverisë ruse”.
- BBC raporton se qytetarët në qytetin e pushtuar të Khersonit kanë nevojë për ushqim, ujë dhe barna.
- Atletëve rusë dhe bjellorusë u ndalohet pjesëmarrja në Lojërat Paraolimpike në Pekin. Kjo vjen pas kërcënimeve të ekipeve tjera se do ta bojkotojnë këtë organizim sportiv, nëse Rusia merr pjesë.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference për shtyp, ka krahasuar SHBA-në me Hitlerin, për shkak të, siç ka thënë ai, “nënshtrimit të Evropës.
- Në një intervistë dhënë BBC-së, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, , Olha Stefanishyna, ka thënë se NATO është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e civilëve në vend, pasi po refuzuon të detyrojë një zonë të ndalimit të fluturimeve mbi Ukrainë.
- Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, e cila po qëndron në Lituani, ka thënë se ndalja e agresionit rus është një luftë “jo vetëm për lirinë dhe vetëvendosjen e Ukrainës”, por për “për lirinë dhe sigurinë e të gjithëve”. Ajo ka insistuar se “duhet të shkojmë tutje”, duke përfshirë ndalimin e të gjitha bankave ruse nga sistemi i pagesave SWIFT. “Duhet ta degradojmë ekonominë ruse”, ka thënë Truss.
- Volodymyr Zelenskyy ka njoftuar se 16 mijë luftëtarë të huaj i janë bashkuar forcave të Ukrainës.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy u ka kërkuar forcave ruse të largohen nga vendi i tij, duke i përshkruar si “ fëmijë të hutuar”.
- Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macro se Rusia me sukses do ta përmbyll misionin e demilitarizimit të Ukrainës dhe do ta bëjë atë neutrale, duke përsëritur se ky është qëllimi final i tij.
- Raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës nisën të enjten në Bjellorusi, në një zonë afër kufirit me Poloninë, dhe delegacionet negociatore përbëhen nga përfaqësuesit e njëjtë që zhvilluan të hënën raundin e parë të bisedimeve.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut të tij rus,Vladimir Putin bisedime direkte, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës mes të dy vendeve.
- Delegacionet negociatore të Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord të enjten se ekziston nevoja për të krijuar korridore humanitare që ndihmojnë në largimin e civilëve nga zonat e fushëbetejave.
- Përderisa Ukraina po kërkon armëpushim dhe korridore humanitare për civilët, Rusia po kërkon që Ukraina të mbetet shtet neutral, të mos anëtarësohet në NATO dhe BE, në Ukrainë të zgjidhet një qeveri tjetër si dhe të largohet presidenti, Volodymyr Zelensky.
- Reuters raporton se pas 8 ditë pushtimi të Ukrainës vërehet një përparim i vogël në frymën e bisedimeve dhe vjen pasi sanksionet e Perëndimit po gausin gjithnjë e më ashpër shumë oligarkë rus të lidhur me presidentin, Vladimir Putin.
Dita 7
- Sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar të intensifikohet me raporte për sulme të reja në të gjitha vijat e frontit. Sipas raporteve, parashutistët rusë kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, ku që disa ditë po zhvillohen luftime të ashpra , përderisa ka njoftime se ushtria ruse ka hyrë edhe në qytetin strategjik Kherso, i cili gjindet pranë gadishullit të Krimesë.
- Njëkohësisht, kanë vazhduar sulmet artilerike dhe raketore kundër kryeqytetit Kiev , dhe kanë nisur sulmet kundër qyteteve Borodjanka dhe Zhytomyr.
- Gjatë ditës Moska tha se ka marrë “kontrollin e plotë” të qytetit Kherson. Kjo do të ishte rënia e qytetit më të madh ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus.
- Por, kryetari i këtij qyteti shkroi në Facebook se qyteti ështëi i rrethuar. “Ne ende jemi Ukrainë. Qëndrojmë të fortë”.
- Më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, përderisa rreth 700 mijë të tjerë kanë kërkuar strehim në vendet tjera. Më shumë se gjysma prej tyre kanë hyrë në Poloni, përderisa shumë të tjerë kanë arritur edhe në Rumani, Hungari, Sllovaki dhe vendet tjera.
- Shumë punëtorë ukrainas kanë bllokuar rrugën hyrëse për të mbrojtur termocentralin bërthamor në qytetin Enerhodar.
- Dmytro Orlov, kryetar i Enerhodarit, tha në faqen e tij në Facebook tha se banorët janë duke e mbrojtur termocentralin bërthamor.
- Autoritetet në Ukrainë kanë njoftuar se më shumë se 2,000 civilë janë vrarë deri më tani nga sulmet ruse, që filluan një javë më parë.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka paralajmëruar Perëndimin se një luftë e tretë botërore ‘do të jetë bërthamore dhe shkatërruese’, përderisa po intensifikohen pasojat ndaj Rusisë pas pushtimit të ndaj Ukrainës.
- Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se veprimet e Rusisë në Ukrainë mund të cilësohen si “krime lufte”.
- Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka thënë se “çdo opsion është në tryezë”, përderisa ka theksuar qëndrimin e mëhershëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës, por nuk do të dërgojnë trupa për të luftuar kundër forcave ruse.
- Një raund i dytë bisedimesh për një armëpushim të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë është paralajmëruar të mbahet dhe palët kanë konfirmuar se përbërja e delegacioneve dhe vendi janë të njëjta.CNN raporton se raundi i dytë i negociatave për armëpushim mbahet në një zonë kufitare në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë sot se Rusia po godet qëllimisht civilët në Ukrainë, por nuk pranoi të komentojë nëse beson se ushtria ruse po kryhen krime lufte.
- Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila dënon pushtimin rus të Ukrainës. Nga aty i është bërë thirrje Moskës që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga Ukraina. Rezultati, megjithëse ligjërisht jo detyrues, mbart njëfarë peshe politike globalisht, megjithëse është e dyshimtë nëse do të ndryshojë agresionin ushtarak të Moskës.
- Qindra persona dyshohet se kanë vdekur në qytetin jugor Maripol në Ukrainë, pas disa orë granatimesh të forcave ruse.
- Gjithashtu në jug, ushtria ruse po vazhdon sulmet në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Kherson, por kryebashkiaku i saj, Igor Kolykhayev ka konfirmuar se qyteti ende mbahet nga forcat ukrainase.
Dita 6
- Më shumë se 350 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë gjatë pushtimit, sipas qeverisë së Ukrainës. Më shumë se gjysmë milioni njerëz e kanë lëshuar vendin, që nga fillimi i pushtimit.
- Forcat ruse nisin një sulm masiv ndaj një ndërtese qeveritare në qendër të Kharkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë. Të paktën 10 njerëz u vranë. Tetë të tjerë u vranë nga një sulm ajror në një ndërtesë banimi, thanë zyrtarët.
- Ushtria ruse vazhdon avancimin e saj të qëndrueshëm në Kiev, me imazhe satelitore që dallojnë një kolonë të blinduar, që duket të jetë rreth 65 km e gjatë, në ditën e gjashtë të sulmit.
- Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shfaqur disa pamje në rrjetin social Twitter nga sulmi raketor në qendër të Kievit, në Sheshin e Lirisë. Ministri e ka akuzuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin për krime lufte si dhe ka i bërë thirrje botës për izolimin e mëtejmë të Rusisë.
- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson tha se Vladimir Putin është i përfshirë në taktika “barbare dhe pa dallim” për të targetuar civilët në Ukrainë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhjeje, i është adresuar Parlamentit Evropian.Bombardimin e Kharkivit, Zelensky e ka përshkruar si krim lufte. Si pasojë e këtij sulmi, dhjetëra njerëz humbën jetën.
- Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka paralajmëruar banorët e Kievit se po përgatitet të godas disa lokacione në kryeqytetin e Ukrainës.
- Të paktën pesë persona raportohet të jenë vrarë nga një sulm rus në kullën e transmetuesve televiziv në Kiev, duke goditur objektet e transmetimit aty pranë, thonë zyrtarët ukrainas.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka thënë sot se Rusia duhet të ndalë bombardimin e qyteteve të Ukrainës, para se të mund të fillojnë bisedimet e njëmendta për armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave i kësaj jave nuk prodhoi ndonjë rezultat.
- Pentagoni ka bërë vlerësimin e fundit të pushtimit rus, duke theksuar për një epërsi të ndjeshme të forcave ajrore të Ukrainës në raport me ato ruse.
Dita 5
- Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të nisin të hënën në kufirin me Bjellorusinë, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që thotë se 24 orët e ardhshme janë “vendimtare”
- Megjithatë, zyrtarët rusë dhe ukrainas përfundojnë rundin e parë të bisedimeve rreth mundësisë së një armëpushimi dhe se do të kthehen në kryqytetet e tyre për konsultime, para një rundi të dytë.
- Finlanda pajtohet të dërgojë 2,500 pushkë dhe 1,500 armë antitank.
- Ushtria ukrainase thotë se trupat ruse kanë ngadalësuar ritmin dhe sulmet.
- Të paktën 11 civilë janë vrarë në qytetin e Kharkivit, në lindje të vendit.
- Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të menjëhershme të trupave ruse, në kohën e fillimit të bisedimeve me Rusinë, në kufi me Bjellorusinë.
- Vatikani tregon gatishmëri për të “ndihmuar dialogun” në mes të Rusisë dhe Ukrainës, për t’i dhënë fund luftës, raporton një diplomat i lartë, thotë Al Jazeera.
- Kombet e Bashkuara njoftojnë për më shumë se gjysmë milioni refugjatë që kanë lëshuar Ukrainën për në shtetet fqinje, që nga fillimi i pushtimit.
- Bashkimi Evropian paralajmëron se 7 milionë njerëz mund të asgjësohen, nëse lufta zvarritet.
Dita 4
- Ukraina pajtohet që të mbajë bisedime me Rusinë, në kufirin me Bjellorusinë. Ky vendim vjen pas një telefonate mes Zelenskyt me liderin bjellorus, Alexander Lukashenko.
- Ukraina thotë se ka përzënë trupat ruse nga Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.
- Moska thotë se forcat ruse kanë rrethuar plotësisht qytetin jugor të Khersonit dhe qytetin Berdyansk.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon nga fuqitë botërore që t’ia heqin Rusisë të drejtën e votës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi sipas tij, veprimet ruse në Ukrainë janë në prag të “gjenocidit”.
- Presidenti rus, Vladimir Putin,urdhëron ushtrinë ruse që t’i vendosë forcat e parandalimit – një referencë për njësitë që përfshijnë armë bërthamore – në gatishmëri të lartë.
- Të paktën 198 civilë ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga pushtimi rus, njofton kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë. Sipas një agjencie të OKB-së, të paktën 64 civilë janë në mesin e 240 të vrarëve.
- Të paktën 198 civilë ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga pushtimi rus, njofton kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë. Sipas një agjencie të OKB-së, të paktën 64 civilë janë në mesin e 240 të vrarëve.
- Elon Musk siguron që shërbimi i tij satelitor, SpaceX Starlink, të ofrojë internet në Ukrainë. Kjo erdhi pas një Tweet-i të një zyrtari ukrainas, i cili kërkonte ndihmë nga Musk, pasi Rusia kishte bllokuar internetin në Ukrainë.
- Polonia thotë se më shumë se 100 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin nga Ukraina, që nga fillimi i pushtimit rus. Më shumë se 50 mijë të tjerë kanë kaluar në Hungari dhe Rumani.
- Aleatët perëndimorë vendosin sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, duke përfshirë bllokimin e disa bankave kryesore nga sistemi i pagesave SWIFT.
- Vendet evropiane, nga Suedia e deri te Franca, thonë se po bëhen gati ta mbyllin hapsirën ajrore për aeroplanët rusë.
Dita 3
- Rusia nis pushtimin e gjerë ushtarak në Ukrainë.
- Vazhdojnë sanksionet e fuqive të mëdha kundër Rusisë, duke targetuar bankat, rafineritë e naftës dhe eksportet ushtarake.
- Presidenti i Ukrainës zotohet se nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të luftojë për ta mbrojtur vendin.
- Rusia urdhëron trupat e saj që të përparojnë në të gjitha drejtimet. Nisin sulmet e koordinuara ruse në qytetet ukrainase, përfshirë edhe kryeqytetin, Kievin.
- Civilët ukrainas fillojnë të armatosen, në mbrojtje të vendit të tyre.
- Kryetari i Kievit thotë se nje raketë goditi një ndërtesë banimi, por nuk u raportua për të vdekur apo plagosur.
- Rusia tha se po bombardon infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.
- Minstria e Shëndetësisë e Ukrainës raporton se deri të shtunën nga forcat ruse janë vrarë 198 civilë, përfshirë 3 fëmijë.
- Presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi një memorandum për të ofruar 600 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën. Më vonë gjatë dites, Biden njoftoi edhe për 350 milionë dollarë shtesë.
- Gjermania dhe Holanda njoftuan për ofrim të armëve antitank për Ukrainën. Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me 1,000 armë të tilla.
- Deri të shtunën, 115 mijë refugjatë kaluan kufirin me Poloninë, duke lëshuar Ukrainën.
- Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëron se lufta Rusi-Ukrainë mund të zgjasë shumë dhe sipas tij, kjo luftë do të lejë “pasoja afatgjata”.
Dita 2
- Por, të premten, Zelensky lëshoi një video, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas, para ndërtesës presidenciale në Kiev, për t’i siguruar ukrainasit se ai dhe të tjerët, do të qëndronin në Kiev.
- Zyrtarët rusë thanë të premten se forcat ruse kanë rrëzuar 211 instalime ushtarake ukrainase, përfshirë 17 qendra komanduese, 19 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 39 radarë, 67 tanke dhe 6 aeroplanë ushtarakë.
- Më vonë të premten, ushtria ruse tha se ka pushtuar qytetin e Melitopolit.
- Ne ditën e dytë të pushtimit, banorët e Kievit filluan të ndjejnë frikë e terror kur disa predha artilerie goditën disa ndërtesa banimi në periferi të këtij qyteti.
- Mijëra ukrainas lëshuan vendin të premten, duke kërkuar strehim në shtetet fqinje.
- Të premten, Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkonte nga Moska që menjëherë t’i ndalë sulmet në Ukrainë dhe t’i tërheqë trupat. 11 vota ishin për, Rusia votoi kundër, ndërsa Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.
- Kombet e Bashkuara planifikojnë të kërkojnë 1 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, brenda 3 muajsh.
- Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron tha se BE ka vendosur qe të ndajë 1.5 miliardë euro si ndihmë ekonomike për Ukrainën.
- Presidenti amerikan, Joe Biden dhe partnerët e NATO-s u pajtuan të premten që të dërgojnë mijëra trupa në shtetet anëtare të pjesës lindore.
- Menjëherë të premten, SHBA, Britania e Madhe, Kanada dhe BE-ja thanë se do të vejnë sanksione ndaj Rusisë dhe liderëve të saj, duke ngrirë asetet e tyre.
- Të premtën u vendos që finalja e Ligës së Kampionëve nga UEFA të mos mbahet në Shën Petersburg të Rusisë, por në Paris të Francës.
- Po ashtu edhe Formula 1 nuk do ta mbajë garën e planifikuar në shtator në Sochi të Rusisë.
- Edhe shumë federata botërore të sporteve të ndryshme, anuluan pjesëmarrjen e Rusisë në garat e tyre për këte sezonë.
Dita 1
- Presidenti rus, Vladimir Putin, këtë ndëryrje e cilësoi si “operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës”.
- Pas kësaj ndërhyrjeje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
- Vendet dhe institucionet më të fuqishme në botë dënuan njëzëri sulmin rus dhe u zotuan se do të jenë aleat të Ukrainës në këtë luftë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha të enjten liderëve të Bashkimit Evropian – përmes një video linku nga bukeri i tij – se kjo mund të ishte hera e fundit që mund ta shihnin gjallë.