Me një kaçavidë, pasditen e djeshme, një person dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta një person tjetër. Përleshjes mes tyre i parapriu një fjalosje që ndodhi në parkingun e një marketi në fshatin Banjë të Istogut.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari e ka therë dy herë me kaçavidë viktimën – një herë në dorën e majtë dhe një herë nën sqetull.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, por tanimë është në gjendje stabile.
Prangave të Policisë nuk ka arritur t’i ikë i dyshuari, i cili u kap në vendin e ngjarjes, mirëpo edhe ai e kishte një ‘kërkesë’ për zyrtarët policorë.
Siç mëson Sinjali, ai ka kërkuar ndihmë mjekësore duke thënë se është goditur nga viktima me mjet të fortë dhe më pas është dërguar për tretman mjekësor.
Sinjali mëson se me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”.
/GazetaSinjali/