Komentet mbi dështimin e takimit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po vazhdojnë.
Majda Ruge, eksperte nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës se BE-ja po neglizhon sfidat që nuk do të zhduken nëse nuk e ndryshon qasjen e saj.
“Pse po vazhdojmë të dështojmë? Siç ka thënë Ainshtajni përkufizimi i çmendurisë është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. E tërë korniza e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim po vazhdon me të njëjtën qasje ndërkohë që po neglizhon sfidat që nuk do të zhduken nëse nuk e ndryshojmë qasjen. Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë pritet prej Kosovës, çfarë pritet nga Serbia si ofertë ndaj Kosovës dhe sa vëmendje të lartë politike dhe ndikim janë të gatshëm të investojnë Bashkimi Evropian dhe lojtarët e tjerë të jashtëm”, deklaroi për Zërin e Amerikës, ekspertja Majda Ruge nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Sipas Ruges, studiuese e Ballkanit Perëndimor, Kurti nuk e pranon Asociacionin ngase e konsideron si instrument për ndërhyrje politike të Serbisë në Kosovë.
“Kjo është diçka që Prishtina nuk e pranon…sepse e konsideron si një instrument për ndërhyrje politike nga Beogradi në çështjet e Kosovës”, shtoi ajo./Demokracia