Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se publikimi i përgjimeve në disa media, ku pretendohet se një prokurore e krimeve të rënda tenton të shtrijë ndikimin e saj në një rast të një personi, është cenimi më i rëndë dhe skandali më i madh në sistemin e drejtësisë.
Ajo ka kërkuar që të ketë reagim shoqëror për këtë rast, derisa nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial ka kërkuar që të ndërmarrin masa adekuate përbrenda kompetencave të tyre ndaj këtij rasti.
Haxhiu tha se është e çuditshme që për këtë rast nuk ka reagime shoqërore, nga mediat e as nga shoqëria civile.
Haxhiu: Është e çuditshme heshtja për këtë rast
“Shumë e çuditshme është, se edhe përkundër faktit që kanë kaluar disa ditë që nga nisja e publikimit të këtyre përgjimeve, nuk kemi pa reagime shoqërore, nuk kemi pa reagime nga mediat, nuk kemi pa reagime nga shoqëria civile, pra janë të pakta mediumet apo portalet që kanë publikuar përgjimet që ka publikuar një portal. Pra, nuk po ndodh e njëjta siç ka ndodhur në të kaluarën me aferën “Pronto”, ku ka pasur edhe protesta, organizime qytetare nga shoqëria civile dhe opozita. Kjo çfarë po ndodh është një skandal shumë i madh, ndaj të cilit nuk ka reflektim. Kam vendosur sot që të dalë në konferencë me qëllimin që të thërras për përgjegjësi, për reagim qoftë nga shoqëria civile, mediat, qoftë edhe nga institucionet që fliten në këto përgjime. Si ministre e Drejtësisë është e papranueshme dhe është e paprecedentë që për një skandal të flas vetëm qeveria”, tha ajo.
Haxhiu ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, që të ndërmarrin urgjentisht masat adekuate përbrenda kompetencave në mënyrë që të hetohet dhe trajtohet ky rast.
Ajo tha se publikimi i përgjimeve të tilla dëshmon se nuk është i përfshirë vetëm i shkarkuari i djeshëm, ish-drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, por tha se bëhet fjalë edhe për prokuror të departamentit të krimeve të rënda përbrenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjyqtar të Gjykatës së Apelit të departamentit për krime të rënda, e flitet për emra duke nisur edhe nga kryeprokurori i shtetit.
E para e dikasterit të Drejtësisë tha se nuk kanë asnjë informatë që kanë nisur hetimet ndaj këtyre rasteve, pasi që tha se KPK është mbyllur karshi pyetjeve që po bëhen ndaj tyre.
Haxhiu: KGjK dhe KPK të ndërmarrin masat adekuate përbrenda kompetencave
“I bëj thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që të ndërmarrin urgjentisht masat adekuate brenda kompetencave, në mënyrë që të hetohen dhe trajtohen rastet që sfidojnë dhe cenojnë seriozisht integritetin institucional të institucioneve të drejtësisë. Qëndrimi im nuk mund të jetë indiferent. Ju e dini shumë mirë që unë para pak kohësh jam bërë nënë dhe ende nuk jam kthyer që të punoj, por një skandal i tillë nuk mund të ma lejoj që të qëndroj e heshtur dhe të qëndroj në shtëpi teksa shoh që po cenohen institucionet tona të drejtësisë”, tha ajo.
Haxhiu tha se nuk mund të bashkëpunojë me krerët e institucioneve të drejtësisë përderisa ata heshtin përballë një skandali të tillë.
Haxhiu: S’ka bashkëpunim me ata që mbyllin sytë para skandaleve
“Për sa kohë ata janë aty unë e kam për obligim që të bashkëpunoj me ta, por më duhet ta them që me këto çfarë po ndodh, me mos reagimin e Këshillave përkatës unë nuk mund të kem bashkëpunim me ta, nuk mund të kem bashkëpunim me ata që mbyllin sytë përpara këtyre skandaleve. Do të thotë ata duhet të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre në mënyrë që t’i hapin dyert e bashkëpunimit me MD-në”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë deklaroi se vettingu është çelësi për ta çliruar dhe për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Në këtë drejtim ajo tha se janë duke punuar si ministri, e që bëri të ditur se deri në fund të këtij muaji do të dërgojnë në qeveri për miratim koncept dokumentin për vetting.
Haxhiu: Vettingu, çelësi për ta kthyer besimin e qytetarëve në drejtësi
“Është çelësi për ta çliruar dhe për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Tashmë askush nuk ka dilemë që vettingu është shumë i rëndësishëm në Republikën e Kosovës. Pra, vettingu në sistemin e drejtësisë është kërkesë shoqërore për çka MD është duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim dhe ne kemi hartuar draftin e parë të koncept dokumentit për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe i njëjti pritet në fund të këtij muaji të miratohet në qeveri”, tha ajo.
E para e drejtësisë u pyet rreth mundësisë së shkarkimit të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, por që ajo tha se si ministri nuk kanë asnjë kompetencë për ta bërë një gjë të tillë./KP