Takimi ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Emisarit Evropian, Miroslav Lajçak, i paralajmëruar si drekë pune tashmë ka përfunduar.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, por nuk dihen detajet për temat e diskutuara.
Zyrtarët e lartë evropianë dhe amerikanë janë angazhuar për ta bindur Kryeministrin Kurti ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përveç Asociacionit, takimet e javëve dhe muajve të fundit kanë pasur temë kryesore propozimin evropian, që në masë njihet si plani franko-gjerman, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.