Përfundojnë gërmimet në Shtaval të Serbisë, a u gjendën mbetje mortore atje?!

- in Lajme

Në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, nuk janë gjetur mbetjet mortore, pas gërmimeve që nisën më 10 maj.

Në këtë lokacion, për 13 ditë janë zhvilluar gërmime në kërkim të një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kërkesën për kontrollimin e këtij lokacioni e kishte dërguar Prishtina zyrtare.

Në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, nuk janë gjetur mbetjet mortore, pas gërmimeve që nisën më 10 maj.

Velko Odaloviq nga Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë tha në vendin e ngjarjes, më 25 maj, se pas kërkimeve, nuk janë gjetur mbetje.

Ai shtoi se kërkimet për varreza masive në të ardhmen do të vazhdojnë sipas kërkesave, por ka kërkuar të njëjtën edhe nga Prishtina zyrtare.

“Nuk ka dallime në mes të viktimave. Edhe familjet shqiptare, edhe ato serbe e kanë drejtën e njëjtë ta dinë çka ka ndodhur me të dashurit të tyre“, u shpreh Odaloviq.

“Për këtë arsye po kërkojmë që të intensifikohet puna për këtë proces edhe në Kosovë“, shtoi ai.

Ky vend i dyshuar për varrezë masive u kontrollua pasi që, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kosova kishte siguruar imazhe satelitore.

“Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive”, thuhej në njoftimin Qeverisë së Kosovës ditën kur filluan kërkimet.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë.

Ky fakt ishte forcuar edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Kizhevaku ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjetën trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 1998-99.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth njëmijë kosovarëve të vrarë.

Rreth 1600 persona të tjerë ende mbesin të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar./REL/