Për-pak skandali: Zv. Kryeministri i Maqedonisë i tregon Nacionales si e ‘çftuan’ ambasadorin rus

- in Rajoni dhe Bota

Kemi dëgjuar për skandale diplomatike por jo edhe për ‘për-pak’ skandale diplomatike. Një i tillë raportohet se ka kapluar hierarkinë më të lartë shtetërore të Maqedonisë së Veriut me një arsye të përçudshme e për të cilën gazeta Nacionale tashmë ka marrë edhe një prononcim nga zv.kryeministri i këtij shteti.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka qenë ndër temat më sensitive dhe të përfolura në kuadër marrëdhënieve ndër-etnike mes maqedonëve dhe shqiptarëve. Ky regjistrim tashmë është bërë, dhe shifrat pritet të përcaktojnë edhe “peshën” politike të secilës palë.

Përfshirja e diasporës në këtë matje, ka bërë që numri i shqiptarëve të shkonte në 29 për qind – sipas disa të dhënave jozyrtare që shpejt pritet të bëhen zyrtare.
Në censusin e vitit 2002, përqindja e shqiptarëve kishte qenë 25.2 për qind ndërsa ajo e maqedonëve 65.

Me regjistrimin e ri civil, numri i maqedonëve ka pësuar rënie në përqindje dhe raportohet se është 62 për qind.
Për t’i prezantuar këto shifra, Enti i Statistikave të Maqedonisë së Veriut kishte dërguar ftesa te të gjitha ambasadat në Shkup. Edhe te ajo e Rusisë, për habi.

Kujtojmë lexuesit tanë që Rusia ka bërë invazion në Ukrainë dhe raportet diplomatike me pjesën më të madhe të dynjasë janë ngrirë. E të ngrira janë edhe me Maqedoninë e Veriut përkundër që, si duket kjo nuk ju ka rënë ndërmend kur kishin dërguar ftesën.

Me të marrë ftesën, ambasadori rus në Maqedoni të Veriut, Sergei Bazdiniku e konfirmoi pjesëmarrjen, ndoshta i habitur edhe vetë me ftesën. Fundja, pse jo?
Dhe, ky konfirmim i pjesëmarrjes – që besohet të ketë shkuar në formë elektronike – kishte vënë në hallgjithë shtetin fqinj të Kosovës.

Zv. Drejtori i Entit të Statistikave me mbiemrin Selami e kishte marrë vesh se ambasadori rus kishte paralajmëruar pjesëmarrjen por nuk kishte guxuar të bënte asnjë veprim. AI kishte njoftuar zv. Kryeministrin e parë të këtij shteti, z. Artan Grubi. E zv.Kryeministri Grubi kishte njoftuar kryeministrin Dimitar Kovaçevskin pa ditur se çka të bënte.

Edhe vetë kryeministri, më pas kishte kërkuar të “gjendej ndonjë mënyrë” që ambasadori rus të mos merrte pjesë në prezantimin e shifrave.
Nacionalja ka pyetur zv. Kryeministrin Grupi se si kishte ndodhur i gjithë rasti dhe ai nuk ka ngurruar të japë përgjigje.

“Drejtori i Entit Stistikor u ka dërguar ftesa për të gjithë listën e diplomatëve të akredituar në Maqedoninë e Veriut’’ – thotë Zv. kryeministri Grubi.
Më tej, Grubi për Nacionalen ka treguar se ftesa ndaj diplomatit rus ishte nisur që para se të niste luftanë Ukrainë. “Pa konsultim me qeverinë [është bërë ftesa]”, sipas Grubit, dhe me të marr vesh këtë qeveria i ka kërkuar Entit që të tërheqë ftesën për ambasadorin rus në Shkup.

Nëse ambasadori rus do të merrte pjesë në ceremoninë e organizuar nga Enti, kjo do të përbënte skandal diplomatik./Nacionale