Për një milion euro, qendra IVF në QKUK ende jofunksionale

- in Shëndetësi

Shumë gra nga Kosova janë të gatshme të paguajnë mijëra euro për metodën e fertilitetit IVF, pa pasur garanci se do të kenë shtatzëni të suksesshme.

“Herën e parë në Shkup më ka kushtuar 6 mijë euro… Pastaj, kam shkuar në Turqi, ku më ka kushtuar mbi 3 mijë euro. Është dashur të marrim edhe borxhe për të provuar këtë proces”, thotë Drita, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për REL. Drita, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka mundur të mbetet shtatzënë.

Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.

Merita, një tjetër grua që thotë se ka kaluar nëpër këtë procedurë, sot është nënë e një djali.

“Ka qenë një proces i mundimshëm, i lodhshëm dhe i kushtueshëm. Po flas veç për procesin e IVF-it që ka kushtuar mbi tre mijë euro”, thotë ajo.

Merita tregon se IVF-in e ka bërë jashtë Kosovës.

Në Kosovë, kjo procedurë kryhet në gjashtë spitale për gjinekologji-obstetrikë dhe infertilitet, e cila njësoj kushton disa mijëra euro.

“Punimet janë në fund, por [reparti] nuk është finalizuar komplet me disa testime të sistemeve, por edhe me trajnimet e stafit për përdorimin e sistemeve”, thonë nga administrata e QKUK-së.

REL ka arritur të shohë ambientin e kësaj qendre, ku duken të përfunduara gati të gjitha punët.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, konfirmon se punimet janë realizuar, por të gjitha pajisjet e nevojshme, sipas tij, nuk janë blerë.

Ai shton se janë bërë kërkesa që mjetet të sigurohen në kuadër të buxhetit vjetor për SHSKUK-në, që ndan Qeveria e Kosovës, porse një gjë e tillë, deri më tash, nuk ka ndodhur./Telegrafi