Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët japin para borxh me norma të interesit abuzive, duke kërkuar që të përfitojnë të mira materiale përmes dhënies së kredive monetare joetike. Një rast i tillë ka ndodhur së fundi edhe në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se një person në Vushtrri, mbrëmë pas mesnate ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi që sipas tij dy të dyshuar e telefononin vazhdimisht duke i kërkuar para.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku viktima ka deklaruar se të dyshuarit po i kërkojnë atij rreth 6 mijë euro. Sipas tij e gjithë kjo po ndodh për shkak të disa parave që kishte marrë hua nga të dyshuarit, e të cilët e kanë paralajmëruar atë se për çdo orë që vonohet borxhi, duhet t’i jap nga 100 euro më shumë.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se të dyshuarit e kanë sulmuar edhe fizikisht, duke e goditur me shuplaka.
Policia me të marrë informatën është vënë në lëvizje për të kapur personat e dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar, mirëpo të njëjtit ende nuk janë gjetur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Fajde’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.