Ditën e djeshme në Gjykatën Speciale u mbajt një seancë lidhur me përcaktimin e afateve dhe kalendarit për vazhdimin e gjykimit, në rastin e krerëve të UÇK-së. Por, çfarë ndodhi?
Pak pa u bërë një vit që kur ka nisur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, janë dëgjuar saktësisht 46 dëshmitarë. Megjithatë, Prokuroria e Specializuar po synon t’i thërrasë edhe 144 dëshmitarë të tjerë.
Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë, atëherë edhe me gati 150 dëshmitarë, i bie që vetëm Prokuroria e Specializuar ka nevojë edhe për gati 3 vjet kohë që ta finalizojë rastin e saj. Duke ditur se krerët e UÇK-së kanë qëndruar për 3 vjet në paraburgim pa nisur gjykimi, atëherë periudha vlerësohet të jetë tejet e gjatë.
Por, që një gjë e tillë të mos ndodh, pritet të përkujdeset trupi gjykues. Ata kanë përcaktuar disa afate që Prokuroria e Hagës të tregojë se deri kur mund ta përmbyllë rastin e saj. Kujtojmë se fillimisht, ata kishin vlerësuar që mund ta përmbyllin rastin në prill të vitit 2025.
“Mendoj që të gjitha palët kanë luajtur rolin e vet për vonesat e shkaktuara deri tani. Ju garantoj që kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga mbrojtja, ashtu siç kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga Prokuroria”, tha Smith III.
Në fund të punimeve të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kërkoi nga ZPS-ja që deri më 21 maj të japë një vlerësim të ri të kohës që iu duhet për të përfunduar me çështjen e tyre.
Prokuroria e Specializuar tentoi të arsyetohet duke theksuar se pengimi i dëshmitarëve, ka bërë që të mos dëshmojnë ende një pjesë e dëshmitarëve më të rëndësishëm.
“Disa prej tyre janë thirrur, e disa prej tyre nuk janë thirrur për arsye që nuk varen nga ne. Njëra nga arsyet ishte pengimi i dëshmitarëve në këtë çështje, kjo na ka çuar që t’i sjellim dëshmitarët që nuk dëshironim. Na ka bërë të shmangemi në burimet edhe hapjen e çështjes së 10 dhe 11 për pengim të dëshmitarëve. Ka arsye që nuk varen nga ne. Qëllimi ynë është që të thërrasim dëshmitarët kryesor në fillim, disa prej këtyre i kemi thirrur, disa të tjerë jo për arsye që nuk varen nga ne”, tha prokurori.
“Nuk mund ta them me siguri numrin e orëve. Mund të them që periudha do të shkojë përtej 15 prill, do të shkojë mbi 500 por ne do të punojmë në dy fronte: duhet të shkurtojmë orët për dëshmitarë, dhe duhet të shpejtojmë edhe procesin e seancës apo gjykimit. Nuk është se kemi numër të caktuar orësh për të përfunduar procesin deri në prill 2025. Por, edhe ritmi i orëve duhet të përmirësohet”, tha Hawling nga ZPS-ja.
Megjithatë, gjyqtarët patën pyetje konkrete, duke kërkuar sqarime nga Prokuroria e Specializuar lidhur me vonesat.
“A ka ndonjë arsye pse nuk po i thërrsini dëshmitarët kyç më herët? A nuk do të ishte më mirë që ata të dëgjohen në fillim se më vonë?”, pyeti një nga gjyqtarët.
“Ishte planifikuar që të ishin 600 orë. Janë përdorur 7 orë për dëshmitarë. Nëse do të bëjmë këtë mesataren e 7 orëve për dëshmitarë, është e pamundur të thirren 300 dëshmitarë brenda afatit kohor të parashikuar. Sa dëshmitarë do të thërrisni në sallën e gjyqit?”, deklaroi gjyqtari Smith.
“Ju thatë që keni filluar me 600 dhe keni përfunduar, e tani jeni rreth 100. Jeni akoma te 500 orë që kërkoni për këtë gjykim?”, tha gjyqtari Metro.
Mbetet të shihet se cilat afate do të paraqiten më pas nga gjyqtarët./ Nacionale/