Peci gënjeu publikisht, s’ka vendim të protokolluar se kompanisë “Apetit Group” i është ndaluar eksporti dhe importi

- in Lajme

Në arkivin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ekziston asnjë vendim i protokolluar i datës 2 prill ku dëshmohet se kompanisë “Apetit Group” iu ka ndaluar eksporti, apo importi, pasi nga mediat e Shqipërisë u publikua skandali i falsifikimit të dokumenteve dhe eksportimit të mishit të ardhur nga Brazili si mish “i freskët i Kosovës”.

Ndryshe nga çfarë kishte shkruar ministri Faton Peci në Facebook-un e tij se “operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import”, dhe më pas përsëritur të njëjtën në emisionin “Politiko” në Kanal 10, pas kërkesës nga Albanian Post dhe pritjes për shtatë ditë, AUV nuk ka mundur të provojë se ekziston ky vendim.

Në kërkesën për qasje në dokumente publike nga AP, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dërguar disa vendime të tjera të protokolluara, siç është ai për formimin e një komisionit që do të bëjë gjuermueshmërinë për këtë rast, gjithashtu është dërguar një vendim i protokolluar për “pezullimin e marrëdhënies së punës” për inspektorin Qenan Maxhuni, i cili kishte falsifikuar certifikatën e sasisë së eksportuar të mishit, por jo edhe vendimin për ndalimin e eksportit, apo importit nga kompania “Apetit”.

Pecit i ishte bërë ftesë publike qysh në ditën e martë, 2 prill, të dëshmojë se ekziston vendimi zyrtar për ndalesën që ai tha publikisht se i është bërë asaj kompanie, por ajo nuk u publikua asnjëherë.

Më pas dërgoi kërkesë për qasje në dokumente zyrtare dhe as pas shtatë ditësh nuk u dërgua dokumenti i kërkuar.

Sipas rregullit, secili vendim i marrë duhet të protokollohet, dërgohet në arkiv dhe gjithashtu t’u dërgohet palëve të përfshira të cilat duhet ta zbatojnë vendimin.

Albanian Post ka kërkuar edhe nga Dogana e Kosovës nëse i është dërguar një vendim i tillë për ndalesë eksporti dhe importi të kësaj kompanie, por zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, përmes përgjigjes me shkrim ka thënë se “nëse keni nevojë për detaje rreth kësaj mase ju lutem t’i drejtoheni AUV-it”.

Nga AUV bashkë me dokumentet e lartcekur, ka ardhur një përgjigje ku thuhet se “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shqyrtuar me kujdes kërkesat tuaja për qasje ne dokumente publike” dhe “nga gjitha kërkesat tuaja AUV posedon: Vendimin e  Komisionit Disiplinor” dhe “Vendimin e Formimit të Komisionit Profesional”, por jo edhe vendimin për ndalim të eksportit dhe importit.

Por, AUV ka mundur të dërgojë vetëm një dokument word ku paraqitet një e-mail që njofton në lidhje me ndalim të certifikimit vetëm të eksportit, por që e njëjta nuk është shpjeguar përse nuk është dërguar edhe si vendim – përveç nëse nuk është marrë asnjëherë.

AP pati kërkuar gjithashtu të vërtetojë një deklarim tjetër të ministrit Peci, i cili në të njëjtin emision kishte thënë se në afat prej një vit e gjysmë është bërë sekuestrimi dhe shkatërrimi i 2.5 milionë tonëve mish, por as kjo e dhënë nuk është arritur të konfirmohet përmes dokumentacionit nga AUV.

Në përgjigje për këtë çështje, thuhet se “sasia e asgjësimit të përmendur nuk ka vendim”, porse ministri ka “përmendur statistikat për asgjësime në dy vite kalendarike”.

Albanian Post nga AUV ka kërkuar po ashtu që të dëshmohet nëse sasia prej 1 mijë kilogramëve që u zu duke u eksportuar ilegalisht nga “Apetit” ishte mish që përmbante raport analitik për cilësinë e mishit, por është thënë vetëm se “nuk ka ndonjë dokument raport analitik për një sasi prej 1000 kg”.

AUV megjithatë ka sqaruar se kjo agjenci “pajis me certifikata shëndetësore ngarkesat për eksport”, por jo me raporte të tjera.

Çfarë thuhet në dokumentet e dërguara?

Në kërkesën për qasje ne dokumente zyrtare Albanian Post ka pranuar tri dokumente.

Dokumenti i parë tregon për formimin e një komisoni professional që për detyrë ka hetimin e kompanisë “Apetit sh.p.k”.

“Formohet komisioni profesional, për auditimin-gjurmueshmërin – përputhshmërinë e lendeve të importi, prodhimit, përpunimit të të gjitha njësive të kompanisë Apetit shp.k. (Depoja, thertorja, fabrika e përpunimit)”, thuhet në dokument.

Në dokument tregohen anëtarët e këtij komisioni.

“Enver Dembogaj kryesues, Blerim Hajdari anëtar, Bafti Murati anëtar, Ardian Deshishku anëtar dhe Festim Rexhepi anëtar”.

Vendimi për pezullimin e inspektorit Qenan Maxhuni nga detyra.

Vendim ky që është fuqizuar me 2 prill.

Ndërsa, në dokumentin e tretë tregohet pezullimi i marrëdhënieve të punës me inspektorin Qenan Maxhuni – inspektor veterinar i AUV-it.

“Pezullohet nga marrëdhënia e punës sipas detyrës zyrtare ne shërbimin civil z. Qenan Maxhuni, Inspektor Veterinar i AUV-së”.

“Të pezulluarit si ne piken 1 te këtij vendimi i pezullohet marrëdhënia e punës ne AUV, deri ne marrjen e një vendimi tjetër”.

“I pezulluari do te kompensohet me 50% te pagës mujore sipas dispozitave ligjore ne fuqi, pezullimi mbetet ne fuqi deri ne marrjen e vendimit tjetër”.

“Obligohet Drejtori Ekzekutiv dhe Sektori i Personelit të bëjnë zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në dokument.

Vendimi i pa protokolluar për ndalimin e eksportit të kompanisë “Apetit SH.P.K”.

Ndërsa, dokumenti tjetër është dërguar vetëm në formë të e-mail ku është marrë vendimi për ndalimin e eksportit për subjektin “Apetit SH.P.K”, por i pa protokolluar.

Kompania që u zu duke importuar mish të Brazilit dhe më pas të njëjtin duke e eksportuar për mish të freskët të Kosovës, furnizon me mish spitalet rajonale, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Qendrën e Studentëve dhe 21 Komuna të Kosovës, për të cila ka raportuar.

Sipas dokumenteve që janë publike në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, loti i parë i tenderit ishte “Furnizimi me mish gjethi dhe produkte të tjera të mishit të gjethit”, kurse loti i dytë i tenderit ishte “Furnizim me mish pule dhe produkte të mishit të pulës”.

Për lotin e parë vlera ishte 1 milionë e 291 mijë e 725 euro, kurse për lotin e dytë, apo pjesën e dytë të tenderit, për furnizim me mish pule, bëhet fjalë për 480 mijë e 400 euro.

Kjo vetëm për vitin 2022.

Sërish pronarët e njëjtë fituan tenderët e njëjtë edhe në vitin 2023.

Kontrata me kompaninë “Riki” u nënshkruan në dhjetor.

Sipas dokumenteve publike nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, loti 1 për vitin 2023, apo furnizimi me mish gjethi ishte kontraktuar për 1 milion e 302 mijë e 750 euro.

Kurse pjesa e dytë, e furnizimit me mish pule është 368 mijë e 300 euro.

Sipas të njëjtave kontrata, tregohet se këto kompani të këtyre pronarëve furnizojnë me mish gjethi dhe pule edhe shumë institucione të tjera po ashtu.

Skandali me “Apetit Group” shpërfaqi një sistem të tërë të korruptuar në Ministrinë e Bujqësisë ku një kompani, përmes lidhjeve me shtetin, arrin të falsifikojë disa hallka kontrolli dhe përfundimisht ta shes si mish të freskët të Kosovës, mishin e Brazilit, për të cilin nuk i dihet data.

Për këtë më 3 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë, konfirmoi për Albanian Post se kanë nisur hetimet./Demokracia