PDK: Presidentja doli nga pazaret e pista, ajo do t’i shërbejë vetëm Kurtit

- in Lajme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e Kosovës.

“Sonte, në seancë të territ e të pazareve të cilat do t’i marrim vesh më vonë, Kosova rrëshqiti në monizëm, duke iu bërë dëm i pariparueshëm demokracisë së vendit. Sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur”, thuhet në reagim.

“Jo vetëm kaq, Kurti dhe Osmani u lëshuan në pazare me Listën Serbe dhe në blerje të deputetëve të opozitës, si Adelina Grainca, deputete e turpit që tradhtoi votuesit besnik të PDK-së, për të siguruar votat në këmbim të favoreve dhe privilegjeve duke e kompremetuar tërësisht këtë proces dhe duke e deligjitimuar pozitën e presidentit të shtetit.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila sipas kësaj partie, do t’i shërbejë vetëm kryeministrit Albin Kurti, por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre.

“Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës – por një figurë e grupeve biznesore, marionetë e një autoritari dhe emri që bëri të mundur goditjen më të madhe demokracisë së vendit. Partia Demokratike e Kosovës, si forca e vetme opozitare ndaj këtij pushteti të ri autoritar, do të angazhohet tërësisht në mbrojtjen e rendit demokratik, kushtetutshmërisë dhe do ta kundërshtoj me tërë kapacitetet shantazhin e ushtruar ndaj opozitës dhe institucioneve tjera të pavarura”, përfundon reagimi i PDK-së.

Gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare Vjosa Osmani nga Lista Guxo, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, është zgjedhur shefe e re e shtetit të Kosovës.

Ajo sot në raundin e tretë të votimit për president në Kuvend, ku morën pjesë 82 deputetë, ka marrë 71 vota.

Ndryshe, që prej 5 nëntorit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë kështu personi më i votuar në Kosovën e pasluftës./KP