Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16 vjetorin e pavarësisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Pasi SHBA-ja u alarmua se Kosova po shkelë zotimet ndërkombëtare, se kryeministri Kurti nuk po kufizon vetëm opsionet që “SHBA-të të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovës në arenën ndërkombëtare”, por edhe se Kurti ka hyrë në një rrugë që cenon zotimet të cilat i mori Kosova kur fitoi mbështetjen ndërkombëtare për të krijuar shtetin – Republikën e Kosovës, Biden tha seKosova duhet të jetë multietnike.
Në letrën e Biden thuhet se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
Biden thotë se Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Biden në letrën e tij thotë se ky proces është i rëndësishëm drejt arritjes së normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes dyja vendeve.
Më poshtë letra e plotë:
E nderuara zonja Presidente:
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa festoni Ditën e Pavarësisë tuaj më 17 shkurt.
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm- të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë.
Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për Dialogun të lehtësuar nga BE -ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale. Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – përfshirë duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë./Demokracia