Partia në pushtet “kap” me punësime politike edhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

- in Lajme
Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) është themeluar si entitet i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm, në mbështetje të objektivave të politikës për Efiçiencë të Energjisë së Republikës së Kosovës. Por, partia në pushtet i është turrur edhe këtij institucioni, duke rehatuar aty njerëzit e saj, shkruan Demokracia.com.

FKEE promovon, mbështet dhe zbaton masat e efiçiencës së energjisë, duke tërhequr dhe menaxhuar burimet financiare, në mënyrë që të financojë dhe zbatojë projekte investimesh në fushën e Efiçiencës së Energjisë në një mënyrë të qëndrueshme.

FKEE ka autonomi të plotë funksionale dhe administrative dhe funksionon jashtë kornizës së strukturave qeveritare të Kosovës dhe Shërbimit Civil të Kosovës. Por, primatin për të futur duart në këtë institucion shpeshherë e merr Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli.

Ky fond ka strukturat e veta udhëheqëse, duke filluar nga Bordi Drejtues e deri tek ekzekutivi.

Demokracia.com ka gjetur se aty janë rehatuar disa njerëz të afërt të partisë së Albin Kurtit.

Para pak kohe, Petrit Ahmeti, vëllai i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmetit, i cili njëherësh është edhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes, është emëruar Drejtor i Departamentit të Operacioneve, me pagë mujore mbi 2 mijë euro.

Deri më tani, detyrën e Drejtores së Departamentit të Operacioneve e ka ushtruar Njomza Maraj. Por, siç ka mësuar Demokracia.com, FKEE më datë 16.11.2023 kishte hapur konkurs për Drejtor të Sektorit të Operacioneve dhe aty është punësuar Ahmeti me një pagë mbi 2 mijë euro.

Po ashtu, Demokracia.com ka gjetur se Driton Hetemi, i cili ka qenë në Bord të RTK-së, është emëruar Drejtor i Fondit për Efiçiencë dhe ia ka rritur pagën vetes në rreth 4 mijë euro. Ai në këtë pozitë është emëruar në tetor të 2023-tës.

Për dallim nga ekspertët britanikë të rekrutimit, Hetemi ishte vlerësuar si kandidati më i suksesshëm ndër 14 kandidatët e intervistuar nga komisioni vendor që drejtohej nga ish-kolegu i tij i punës, Alban Nevzati. Ndërsa, sipas rezultatit të ekspertëve britanikë, nga 14 kandidatët që i kanë plotësuar kriteret dhe që janë intervistuar më 12 shtator 2023, kanë qenë vetëm dy kandidatë të suksesshëm. I pari është vlerësuar kandidati Burim Leci, i cili mori 25.5 pikë nga totali prej 40 pikëve dhe Arben Avdyli, që është renditur i dyti me 23 pikë. Sipas praktikës së ekspertëve britanikë nga konkurset e mëparshme, kandidatët e vlerësuar nën 20 pikë, me më pak se gjysma e pikëve totale, konsiderohen të pa emërueshëm.

Po ashtu, rehatimi i njerëzve të pushtetit në këtë fond nuk përfundon me kaq. Arita Gojani ka qenë asistente e Ministres së Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. Por, më pas, ajo fillimisht ishte emëruar asistente e drejtorit Ahmet Ismajlit, para se të bëhej guvernator i BQK-së dhe tash, siç ka gjetur Demokracia.com, ish-asistentja e Rizvanollit është emëruar zyrtare për financa, me një pagë në mbi 1 mije euro.

Për të gjithë emrat e sipërpërmendur, Demokracia.com ka dërguar pyetje në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Demokracia.com/