Paratë false vazhdojnë të qarkullojnë në treg, detaje nga rasti i fundit në Istog

- in Lajme

Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në  tregun e Kosovës. Një rast i tillë i ka ndodhur shitësit të një marketi në fshatin Orroberdë të komunës së Istogut, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se dy persona kanë tentuar që të paguajnë gjerat që blenë në market me 20 euro false.

Por paratë u kthyen sërish në kuletën e pronarit, pasi që shitësi kishte vërejtur se ato janë false dhe nuk i kishte pranuar.

Ai rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, ku ka përshkruar dukjen e personave të dyshuar, por që të njëjtit ende nuk janë identifikuar.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Falsifikim i parasë’.

Ndryshe sipas të dhënave të siguruara nga Policia, gjatë vitit 2021 janë iniciuar 866 raste të falsifikimit të parasë në gjithë territorin e vendit, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të 2022-tës janë iniciuar 208 raste të tilla.

Burimet e Sinjali kanë bërë të ditur se kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

/GazetaSinjali/