Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka një kohë që ka paralajmëruar greva të mundshme në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre për 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të ri për Paga.
Maji do të jetë muaj i ngarkuar për sindikatat, me një grevë fillestare të paralajmëruar më 12 maj, e pastaj me protestë masovike më 20 maj, e cila mund të pasohet me greva të përgjithshme në tërë sektorin e arsimit, shkruan Gazeta Metro.
Ligji për Paga po del të jetë arsyeja kryesore për shkuarjen në greva të paralajmëruara nga sindikatat e punëtorëve të Kosovës, e në veçanti ajo e arsimit, të cilët që një kohë kanë kërkuar që propozimet e tyre rreth këtij projektligji të merren parasysh nga Qeveria e Kosovës, por që diçka e tillë ka hasur në vesh të shurdhër.
Se cilët do jenë hapat e ardhshëm të SBASHK’ut, për Gazetën Metro ka folur kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.
“Kemi vendosur që më 12 maj të mbajmë grevë njëorëshe e nëse Qeveria vazhdon të mos tregojë angazhime të duhura, atëherë do të organizojmë bashkërisht protestë masovike më 20 maj duke u përgatitur pas kësaj për grevë të përgjithshme në tërë sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitete”, ka thënë i pari i SBASHK’ut për Gazetën Metro.
Kur u pyet për mundësinë e plotësimit të kërkesës për 100 euro nga Qeveria, Jasharaj tha se Albin Kurti nuk ka dhënë ende përgjigje të prerë as pohuese e as mohuese për këtë çështje.
Më tej, Jasharaj foli edhe për mundësinë e grevave të përgjithshme në arsim, gjegjësisht se a është i mundur paralizimi i plotë i sektorit arsimor.
“Po është i mundur dhe kështu do të ndodh”, tha Jasharaj për Gazetën Metro.
Ai tutje tha se Qeveria Kurti nëse nuk merret me kërkesat e tyre, nuk ka çfarë të pres pos asaj që ka ndodhur në Qeverinë Haradinaj, ku greva kishte zgjatur tri javë.
“Qeveria Kurti duhet të kujtojë se kështu ndodhi edhe në grevën tre javore pikërisht për shkak të pakënaqësive tona të arsyeshme me Ligjin e pagave në kohën e Qeverisë Haradinaj. Qeveria Kurti nuk ka pse të pres diçka tjetër nëse nuk angazhohet në realizimin e kërkesave tona të arsyeshme e legjitime”, tha Jasharaj.
Jasharaj theksoi se në mesin e anëtarësisë së sindikatës jo që nuk ka kundërshti për grevat, por madje ka zëra që thonë se ato duhet të fillojnë menjëherë, të mos pritet më.
SBASHK ka ditur në të kaluarën të organizojë grevat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Gjatë janarit të vitit 2019, tri javë mësimi u humbën pas dështimit të Qeverisë Haradinaj që të gjejë një gjuhë të përbashkët me SBASHK’un për Ligjin për Paga, ligj ky që edhe sot, ndonëse ka kaluar kohë e konsiderueshme, po del të jetë përsëri mollë sherri midis punëtorëve të arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, kësaj radhe të drejtuar nga Albin Kurti.
Ndryshe, Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020’ës – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.
Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend./gazetametro.net