Paralajmërojnë veteranët: Nëse eskalon protesta, përgjegjësia bie mbi Kurtin

- in Lajme

Meqenëse të hënën e 6 qershorit do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale, u vendos që të protestohet.

Kështu deklaroi u.d. i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku gjatë një konference të sotme për media.

Protesta është thirrur për të hënën në ora 11:00, orë kur nis seanca e Kuvendit, pikërisht para objektit të Kuvenidt të Kosovës.

“Ne si organizata të dala nga lufta duke e pa qe Qeveria e Kosovës përmes Kuvendit po tenton ta ndryshojë ligjin, per këto kategori, për veteranet e luftës se UCK-së, ligj i cili i lidh veteranet e luftës me pagën minimale dhe duke e pa qe ata kane ftuar një seancë per ta ndryshuar këtë ligj ne leximin e pare atëherë në orën 11:00 kemi vendosur te dalim në protestë”, tha ai.

Ndërsa është shprehur i shqetësuar edhe për faktin se Qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me veteranët e luftës.

“Përveç çështjes së benificionit për veteranët, invalidët apo familjet e dëshmorëve si organizata të dala nga lufta jemi të shqetësuar per shkak se kjo qeveri nuk ka bashkëpunuar asnjëherë prej që është në pushtet, me këto kategori”, tha ai.

Xhavit Jashari në emër të familjeve të dëshmorëve, tha se me ardhjen e Qeverisjes Kurti ka filluar diskriminimi i veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta, duke shtuar se nuk e çmojnë rrugën me plot sakrifica deri në pavarësinë e vendit.

“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta, por nëse kjo ndodhë përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.

Ai bëri thirrje të gjithë deputetëve të mos e votojnë këtë ligj. /Lajmi.net/