Paparaci: I dënuari për rrahjen e gruas, pjesë e programit të Ministrisë së Drejtësisë për dhunë ndaj grave

- in Lajme

Pjetër Shala, është zyrtar i Programit për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave, program ky i Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë, vet Shala është i dënuar për dhunë në familje.

Kështu po raporton Paparaci, bazuar në përgjigjen e Gjykatës në Pejë dhe aktakuzën që e kanë siguruar.

Pjetër Shala është shpallur fajtor për sulm ndaj bashkëshortes së tij dhe është dënuar me gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga Gjykata Themelore në Pejë në qershor të vitit 2022.

Në shtator të po atij viti, aktgjykimi ndaj Shalës mori vendim të formës së prerë, tha të hënën Elzana Kastrati, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Pejës.

“I pandehuri Pjeter Shalaj, ka qenë i akuzuar për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, të kryer ndaj bashkëshortes së tij. Ne këtë çështje penale i pandehuri e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar dhe pastaj ka përfunduar procedura sipas aktgjykimit P.nr.32/2022 të datës 28.06.2022, me te cilin aktgjykim i pandehuri është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, tha Kastrati në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Sipas aktakuzës, Pjetër Shala dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij I.Sh. në shtëpinë e tyre në fshatin Gurrakoc të Istogut.

Paparaci e ka siguruar aktakuzën ndaj Shalës dhe dëshminë e bashkëshortes së tij për sulmin e natës së 12 janarit, 2022.

Sipas deklaratës së viktimës I.Sh., bashkëshorti i saj Pjetër Shala kishte ushtruar “shumë herë” dhunë fizike ndaj saj.

“Prej se jam martuar me Pjetrin vazhdimisht kemi pasë mosmarrëveshje, shumë herë ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje por nuk e kam raportuar rastin në polici duke menduar se do të ndalet dhe i regullojmë marrëdhëniet familjare mes vete por Pjetri nuk është ndalur”, dëshmonte bashkëshortja e Pjetër Shalës para hetuese policorë në një deklaratë të dhënë më 13 janar të vitit 2022.

“Vetëm sa e ka shpeshtuar dhunën fizike dhe psiqike, regullisht më mbanë në presion duke më thënë pas çdo mos pajtimi, merre djalin dhe shko tek prindërit e tu. Dhe në pushime kur kemi shku, kemi pasur mosmarrëveshje ku më ka sulmuar fizikisht duke më goditur qëllimisht me koke në fytyrë dhe nga kjo goditje me eshtë thyer hunda”, dëshmonte viktima. “Më është lutur që të mos raportoj rastin në polici dhe për hirë të familjes sime dhe të Pjetrit nuk e kam raportu rastin”./Nacionale