Një person i moshës rreth 45-vjeçare ka mbetur i vdekur si pasojë e shpërthimit që ndodhi mëngjesin e sotëm në Pejë.
Ekipi i Televizionit T7 ndodhet në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve trupi i viktimës që humbi jetën nga ky shpërthim, ndodhet ende në vendin e ngjarjes.
Shpërthimi që mori jetën e 45 vjeçarit, dyshohet se ndodhi tek kjo pompë derivatesh.
Shpërthimin fillimisht e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.
“Rreth orës 09:14 policia është njoftuar se në rrugën “Tahir Zemaj” ka ndodh një shpërthim i një cisterne. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Ajo çfarë mund të konfirmoj është se për shkak të shpërthimit tani kemi një viktimë në vendin e ngjarjes. Nuk kemi ende diçka konkrete se cila ka qenë arsyeja e shpërthimit. Ekipet relevante, kryeprokurori, prokurorja e Pejës policia, zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Nikçi./Demokracia