Pagesa e rrymës të serbëve në Veri, Qeveria: Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, po shohim të gjejmë zgjidhje

- in Lajme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje për pagesën e rrymës për serbët e komunave veriore, meqë në fund të vitit të kaluar u detyruan t’i ndajnë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës edhe 17 milionë euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT.

“Nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje të cilat do të mundësojnë faturimin e rrymës të qytetarëve të asaj pjesë”, tha ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, KOSTT gjatë kësaj periudhe ka akumuluar borxhe e kanë ardhur fatura që më pas vinë edhe me interesa nëse nuk paguhen me kohë.

“Po flasim për periudhën gusht deri nëntor. Flasim për fatura gusht e shtator, kanë qenë të parapara të paguhen. Janë shtuar edhe tetori e nëntori, duke qenë se faturat kanë ardhur e ishte periudhë në të cilën diskutimet po vazhdonin mes KEDS e Elektroseverin”.

Më 16 dhjetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur se KOSTT-i ka kërkuar buxhet për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) më herët gjatë këtij muaji kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.

Qeveria e Kosovës në fund të muajit dhejtor kishte miratuar kërkesën për ndarjen e 35.5 milionë euro për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik. Prej tyre, 17.5 milionë euro për KOSTT-in.

Ndërsa, në qershor të 2022-tës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte licencuar kompaninë serbe ‘Drustvo Elektrosever’ për furnizim me energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 5 vitet e ardhshme.

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit, Ymer Fejzullahu, kishte thënë se kjo kompani do të furnizojë katër komuna në veri të vendit.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim, ndërsa deri më sot nuk është pajisur me licencë për shkak se dhënia e licencës varej nga përputhshmëria me marrëveshjen e Brukselit.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

/GazetaSinjali/