Pagesa e 100 eurove për sektorin privat, ja çfarë do ndodh sot

- in Lajme

Ministria e Financave nuk ka treguar nëse ka nisur verifikimi i aplikantëve për 100 euroshin nga sektori privat dhe studentët, që do të përfitojnë nga kjo ndihmë.

Qytetarët që kanë aplikuar ankohen për zvarritje dhe joseriozitet të Ministrisë në këtë rast.

Janë bërë një muaj që kur qytetarët e Kosovës që punojnë në sektorin privat dhe studentët kanë nisur aplikimin për ndihmën prej 100 eurosh të shtetit.

Mirëpo, me të mbyllur procesi i aplikimit më 20 maj, Ministria e Financave doli me njoftim se nga e hëna komisioni do të fillojë punën për shqyrtimin e aplikacioneve dhe ekzekutimin e mjeteve.

“Aktualisht, mbi 300 mijë punëtorë kanë aplikuar për mbështetje financiare prej 100 eurosh. Gjithashtu, vlen të theksohet se MFPT tashmë ka themeluar Komisionin Zbatues për vlerësimin e aplikacioneve dhe gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi i mjeteve”, thuhet nga ministria e Financave.

Por, qytetarët e kritikojnë këtë ministri për zvarritje të procesit, teksa thonë se shqyrtimi i aplikimeve ka mundur të fillojë shumë më herët.

Sipas njohësit të ekonomisë Naim Huruglica, verifikimi i rreth 350 mijë aplikantëve nuk është i lehtë, dhe kjo do t’i marrë kohë komisionit.

Përpos sektorit privat dhe studentëve, përfitues të 100 eurove përmes kësaj skeme ishin edhe pensionistët dhe sektori publik, pagesa e të cilëve u ekzekutua në fund të muajit prill.