Osmani: Rreziku i ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se në çdo periudhë tjetër

- in Lajme

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për situatën dhe tensionet në Veri që nga 10 nëntori, kur ka filluar vendosja e barrikadave nga serbët lokalë në veri të vendit.

Teksa ka folur për sigurinë në vend, Osmani ka thënë se rreziku i ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se në çdo periudhë tjetër, raporton Sinjali.

“Nuk do të hyja në detaje sa i përket informatave që janë të falsifikuara. Rreziku që ka qenë ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se sa në çdo periudhë tjetër që e kemi parë. Rrezik nga aspekti i sigurisë…Rreziku që sot Serbia e synon destabilizimin është i madh prandaj veprimet tona duhet të jenë mirë të koordinuara, edhe brenda Kosovës, por edhe me aleatët.”

“Nuk kanë qenë asnjëra nga barrikadat e kaluara barrikada të tilla çfarë janë ato sot. Asnjëherë barrikadat nuk kanë qenë më të rrezikshme sesa këto që janë vendosur tani”, tha Osmani në Rubikon.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar. Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.

Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdarës, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.

Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.

/GazetaSinjali/