Osmani ngushëllon familjen Sadiku

- in Lajme

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Sadiku, me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit Bedri Sadiku.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet se ikja e gazetarit Bedri Sadiku është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, farefisin dhe miqtë, por edhe për komunitetin e gazetarëve.

Telegrami i plotë:

E nderuar familje Sadiku,

Ikja e gazetarit Bedri Sadiku është një humbje e madhe jo vetëm për ju, farefisin dhe miqtë, por edhe për komunitetin e gazetarëve. Me punën e tij, ai tejkaloi dimensionin e të qenit vetëm gazetar. Ai ishte njeri i mirë dhe profesionist që la pas trashëgiminë e njeriut të angazhuar për të vërtetën! Familjes, ngushëllime. Bedri Sadiku u prehtë në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për të!

Bedri Sadiku ndërroi jetë dje në moshën 64-vjeçare. Ai për disa vite punoi në gazetën Rilindja, fillimisht në Prishtinë, gjatë viteve të 80-ta, ndërsa më vonë gjatë viteve të 90-ta, në Tiranë dhe Shkup.

Sadiku kishte nxjerrë në dritë shkeljet e të drejtave të shqiptarëve, përmes raportimeve, analizave e shkrimeve autoriale, për çka disa herë ishte ndaluar e arrestuar nga policia.

Gjatë viteve të luftës në Kosovë përcolli për së afërmi krizën e refugjatëve në Maqedoni, teksa me intervistat e tij me ish ambasadorin amerikan Christopher Hill luajti një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës.

Gjatë kohës së luftës Sadiku ka kontribuar shumë me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, duke raportuar për ngjarje për refugjatët dhe një pjesë për zonën e Nerodimes për të vazhduar bashkëpunim edhe pas çlirimit./KosovaPress