Osmani me fjalë prekëse për vrasjen e 35-vjeçares: Sonte vajton një Kosovë për gruan që s’arriti të bëhet nënë

- in Lajme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar me disa fjalë prekëse pas vrasjes së gruas shtatzënë, të cilën e privoi nga jeta ish bashkëshorti i saj, para Gjinekologjisë në QKUK.

Osmani e ka quajtur këtë rast krim makabër e çnjerëzor, duke thënë se ky “burrë” s’mund të quhet qenie njerëzore.

Postimi i plotë:

Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!

/GazetaSinjali/