21 vjet më parë u vra veprimtari i shquar i Kosovës për liri e pavarësi, Shaban Manaj. Këtë 21 vjetor të vrasjes së tij e ka kujtuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë që ai ishte intelektual i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.
“21 vjet më parë, pasi u rrëmbye, u vra mizorisht njëri ndër veprimtarët më të shquar të Kosovës për liri e pavarësi, avokati i njohur, Shaban Manaj. Ai qe intelektual, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Bashkudhëtar e bashkëmendimtar i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, Manaj luftoi për kauzën e lirisë, e cila u shndërrua në udhërrëfyese të jetës së tij. Ai nuk u dorëzua asnjëherë para vështirësive dhe nuk hoqi dorë nga ideali i tij për ta parë vendin të lirë. Për kontributin e dhënë për Kosovën është dekoruar me urdhrin ‘Hero i Kosovës’. Populli i Kosovës do ta përkujtojë përherë shëmbëlltyrën e Shabanit dhe sakrificën e tij për atdheun, ndërkaq përpjekjet tona për drejtësi nuk do të ndalen kurrë”, ka shkruar Osmani./KP