Osmani kujton masakrën e Lubizhdës, kërkon që autorët të dalin para drejtësisë

- in Lajme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar se 22-vjet më parë në Lubizhdë të Hasit, Batalioni i Dytë i Brigadës së Motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, mizorinë e vetë e tregoi duke ekzekutuar 40 burra, gra e fëmijë.

Osmani ka shkruar në Facebook se përgjatë luftimeve ranë edhe 14 dëshmorë të UÇK-së dhe disa nga të vrarët janë konsideruar të zhdukur e më pas janë gjetur në varre masive në Has.

“Pas identifikimit në shtator të vitit 1999 janë varrosur në varrezat e dëshmorëve e martirëve në këtë fshat. Përveç 300- shtëpive të dëmtuara, forcat serbe dëmtuan edhe objekte të trashëgimisë shpirtërore. Të vrarët, dëmet materiale dhe të mbijetuarit e Masakrës së Lubizhdës përbëjnë fakte të cilat duhet të jenë në funksion të drejtësisë për identifikimin e autorëve të krimit montstruoz. Më shumë se dy dekada, asnjë përgjegjësi nga askush. Ndaj, banorët e këtij fshati do të gjejnë paqen kur autorët të vihen para drejtësisë. Një mision i yni që nuk do të ndalojë asnjëherë. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Lubizhdës”, ka shkruar ajo./KP