Po vazhdon të jetë temë edhe më tej Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar një draft të prezantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të cilin, shefi i Qeverisë, Albin Kurti po deklaron se është më i mirë se sa në vitet 2013 e 2015. Por këtu, sipas opozitës, ka një dredhi – çka deklaruan ata?
Kryeministri i Kosovës po e konsideron si të pranueshëm draftin e ri të Asociacionit. Madje, nesër në Bruksel pritet që pikërisht për këtë çështje të diskutojnë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Së fundi, është publikuar edhe një dokument tjetër për të cilin raportohet se është drafti statuti, ndërkaq mbi këtë çështje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi:
“Javëve dhe ditëve të fundit kanë qarkulluar në publik tekste të ndryshme të cilat janë raportuar si drafte të propozimit evropiano-amerikan. Si ekzekutiv e kemi të pamundur që të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit prej tyre. Megjithëse për sa na takon neve, drafti i propozuar nga Gjermania, Franca, Italia, BE dhe ShBA-ja tashmë do të duhej të ishte publik, ne do të respektojmë konfidencialitetin e tij sipas kërkesës së shteteve sponsorizuese.” – ka thënë ai për “Klan Kosova”.
Çka po thotë opozita?
Fillimisht, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i reagoi të martën Qeverisë, duke thënë se përpjekjet për ta justifikuar pranimin e Asociacionit janë “qesharake”.
Më tutje, ajo tha se në vitin 2013 e 2015 nuk ka pasur statut.
“Kryeministër, as në 2013 e as 2015 NUK ka pasur STATUT për asociacionin. Statuitin e sollët ju. E tash, publikojeni nëse na qenka aq i mirë. Pak transparencë.” – ka deklaruar ajo.
“…Në vitet 2013 dhe 2015 kishte përvijime të Asociacionit, por jo drafte. Po dalka të jetë më i mirë se ata që nuk ekzistojnë. Rrengu nuk kalon! Thjesht, le të përgjigjen: a është apo nuk është ky Drafti që u është dhënë dhe e kanë pranuar? Apo nuk e kanë pranuar? Nuk po e bën publik Draftin e po pret që dikush t’i besojë se është i mirë. Kjo s’ka kuptim. Pse? Sepse Qeveria, Kurti me të vetët, kanë thënë me vjet se s’e bëjnë fare Asociacionin (Zajednicën). Domethanë po e bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë. Po e prishin kontratën me votuesit e vet. Janë të pabesueshëm edhe për ta. Për të tjerët edhe ashtu kanë qenë të pabesueshëm.” – ka shkruar ai.
Ndërkaq, gjatë javës së kaluar emisari evropian, Miroslav Lajçak qëndroi në Kosovë ku takoi krerët e partive opozitare.
Me këta të fundit, ai diskutoi për Asociacionin dhe draftin e ri, megjithatë, nga LDK e PDK deklaruan se nuk e kanë parë dokumentin e plotë./Demokracia