OMICRON APO GRIPI SEZONAL- SIMPTOMA TË NGJASHME

- in Shëndetësi

Versioni Omicron i shpërndarë tashmë në shumë vende të botës, përfshirë edhe vendet e rajonit, kanë ngritur shqetësim tek profesionistët shëndetësorë. Kjo për faktin se simptomat e gripit sezonal me ate të Omicron, po del të jenë shumë të ngjashme.

 

Infektologu Sali Ahmeti, I cili edhe po trajton pacientë me grip sezonal, po thotë se me koronavirusin ngjashmëria është mjaft e madhe. Ai duke folur për Radio Kosovën, tha se përveç tjerash metoda më e sigurt që të identifikohet version Omicron, është përmes mostrave laboratorike.

‘’Në fazat fillestare dallimi klinik i këtyre dy viruseve është jo I lehtë, por  këtu gjithmonë duhet mu u  ndihmu me të dhëna epidemiologjike , duhet pasur parasysh edhe manifestimet klinike dhe konfirmimet në rastet e dyshuara, edhe konfirmimet laboratorike. Me testin PCR kjo mund të indetifikohet’’, tha Ahmeti.

Ndonëse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tashmë ka dërguar mostrat në Gjermani, të gjitha kanë rezultuar negative me Omicron.

Infektologu Ahmeti përmend njërën nga  ngjashmëritë mes virusit sezonal dhe Omicron. Ai thotë se të dyja  prekin  rrugët respiratore.

‘’Shpesh është  vështirë ti dallojmë. Ne ende nuk kemi të identifikuar rastet e omikronit, ndonëse thuhet se ky i fundit jep format të lehta, si kokë dhembje , dhimbje muskujsh , ndërsa gripi sezonal ka edhe temperaturë të lartë, dhe mund të zgjasë deri në tre ditë duke arritur në 40 gradë.’’, tha Ahmeti.

Nga Ministria e Shëndetësisë, Faik Hoti i tha Radio Kosovës se  aktualisht ka vaksina të mjaftueshme në dispozicion dhe është shumë me rëndësi që të dihet që vaksina kundër gripit sezonal mund të merret në të njëjtën kohë me vaksinën e COVID-19.

‘’Gripi sezonal po manifestohet me ashpërsi më të theksuar këtë vit. MSH u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësitë ideale që janë për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal. Kategori me prioritet janë të sëmurët kritikë, ata mbi moshën 65 vjeç, shtatzënat dhe lehonat, personeli shëndetësor, fëmijët me indikacione dhe ata me imunitet të dobësuar’’, tha Hoti

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim edhe nga gripi sezonal, sidomos për personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, si dhe gjithë personat me imunitet të dobësuar.