Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

- in Lajme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK)  në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari  i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, më 1999-ën, ai tha se ka qenë major.

Po ashtu, Klaus-Jensch pohoi se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Demokracia