NZZ shkruan për tensionet mes Kosovës dhe Perëndimit: Ka humbur besimi ndaj Kosovës

- in Lajme

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës: Perëndimi po e lë Kosovën të lëkundet”, kështu nis shkrimi i publikuar nga mediumi i njohur zviceran “The Neue Zurcher Zeitung”, i cili tregon për ftohjen e raporteve mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Europian, transmeton Demokracia.com.

“Në Prishtinë njerëzit më kot shpresonin se së shpejti do të anëtarësoheshin në Këshillin e Evropës. Aleatët perëndimorë duan të shohin fillimisht punën paraprake. Ky është tregues i humbjes së besimit ndaj Kosovës”, fillon shkrimi i NZZ.

NZZ ka treguar sesi Qeveria e Kosovës lëshoi pe duke ia bartur tokat Manastirit të Deçanit dhe prapë nuk arriti të anëtarësohej në Këshillin e Evropës.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është i një rëndësie të madhe për vendin, të cilin e njohin vetëm gjysma e të gjitha vendeve në botë. Edhe pse kreu i qeverisë, Albin Kurti, kishte mbajtur gjithmonë një qëndrim të ashpër ndaj manastirit, ai me pahir e detyroi veten të bënte lëshime”, thuhet në shkrimin e mediumit zviceran, transmeton Demokracia.com.

Tutje në shkrim thuhet se fakti që avokatët tradicionalë të Kosovës, Gjermania, Franca dhe Italia, janë përgjegjës për këtë është tregues i marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Prishtinës dhe Perëndimit.

“Ministritë e Jashtme janë të bindura se Albin Kurti lëviz vetëm nën presion të madh. Asociacioni i komunave në fakt nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës, por është objekt i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Perëndimi definitivisht dëshiron të bëjë përparim atje”, theksohet më tej në shkrimin e NZZ.

Aksioni kundër dinarit e ndalimi i hyrjes ndaj patriarkut serb përmenden në tekst, duke treguar sesi Kurti po i krijon fakte Serbisë përmes veprimeve të papritura.

“Duke vepruar kështu, ai fyen rregullisht jo vetëm Beogradin, por edhe aleatët e tij perëndimorë, të cilët në fund të fundit garantojnë sigurinë e vendit me forcën mbrojtëse të Kforit. Uashingtoni e bëri veçanërisht të qartë zhgënjimin e tij në pranverë. Një mosmarrëveshje e tillë me aleatët kryesorë është një problem i madh për një shtet që mbështetet kaq shumë në mbështetjen ndërkombëtare”, thuhet në shkrimin e NZZ, deri sa nënvizohet fakti që sigurinë e Kosovës e garanton KFOR-i. /Demokracia.com/