Nxënësit diskutojnë për heroizmin e familjes Jashari dhe guximin e Besartës

- in Lajme

Për Epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, mësuan e diskutuan sot nxënësit e klasës së tetë të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

23 vjet më parë, sulmi i tretë që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars në Prekazin heroik, mori jetën e 55 njerëzve të këtij fshati, 22 prej të cilëve ishin familja e ngushtë e komandantit legjendar Adem Jashari. E vetmja e mbijetuar në këtë sulm ishte vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila pa gjithë tmerrin teksa i vriteshin familjarët e saj.

Pikërisht historia e mbijetesës së Besartës në një ngjarje ku humbi të gjithë familjarët, ishte tema që nxënësit e klasës së tetë të shkollës “Faik Konica” diskutuan sot, në kuadër të fillimit të manifestimit të Epopesë së UÇK-së.

Nxënësit e kësaj klase që janë në moshën e Besartës kur kishte ndodhur e gjithë ngjarja, thonë se përjetimi i saj është shumë i dhimbshëm. Ata vlerësojnë heroizmin e familjes Jashari që u flijuan që Kosova të gëzojë sot lirinë.

Nxënësi Diar Begolli, thotë se Epopeja e UÇK-së është një ngjarje e veçantë për të gjithë shqiptarët për të përkujtuar heroizmin e një familje për çlirim të vendit.

Begolli: Jasharajt sakrifikuan gjithçka për lirinë

 

Video

 

“Besoj që krejt shqiptarët e vlerësojnë veprimin e UÇK-së që na kanë çliruar dhe është e lidhur me familjen e Jasharajve, ku familja e Jasharajve e ka sakrifikuar të gjithë familjen e vet që ne me qenë të çliruar sot dhe nuk janë dorëzuar deri në vdekje”, tha ai.

Teksa dëgjoi edhe një herë rrëfimin e Besartës, ai tha se ajo përkundër që ka qenë vetëm 10 vjeç ka treguar një guxim të madh.

Begolli: Besarta ka qenë e guximshme

 

Video

 

“Besoj që Besarta ka qenë një vajzë shumë e guximshme edhe pse ka qenë më e vogël se unë 2 vjet dhe ai veprim është shumë i guximshëm me e pa krejt familjen tënde të vdekur dhe me qenë ti e vetmja që je gjallë”, tha ai.

Njohuri se çka ka ndodhur 23 vite më parë ka edhe nxënësja Mjellma Misini, e cila thotë se e vlerëson heroizmin e të gjithë anëtarëve të familjes Jashari.

Misini: Besarta mund të ketë jetë ndjerë keq

 

Video

 

“Datat 5, 6 dhe 7 mars kur familja e Jasharajve është vrarë pasi ushtria serbosllave ka shkuar i ka pushtuar tek shtëpia e vet. E vetmja që ka mbetur gjallë nga kjo familje është vajza e tyre, e cila besoj që është ndjerë shumë keq kur ka pa të gjithë familjarët e mbytur dhe ndoshta ajo ka humbur shpresat në ato momente për të jetuar pasi ka qenë e vetme”, thotë ajo.

Ajo thotë se flijimi i Jasharajve tregon se shqiptarët nuk dorëzohen pavarësisht se çka ndodh.

Misini: Ata që u flijuan do të donin të na shihnin duke mësuar

 

Video

 

“E vlerësoj shumë veprimin e Jasharajve, pasi ka qenë shumë i rëndësishëm për neve pasi edhe ka treguar që ne nuk dorëzohemi si krejt shqiptarët, nuk dorëzohemi në luftë pavarësisht çka ndodh. Sot besoj që ata kishin dashur më së shumti me na pa neve të lirë dhe ndoshta edhe më shumë se për të festuar apo me mësuar për ngjarjen e tyre kanë dëshirë me na pa neve me një shtet të mirë dhe duke mësuar nëpër bankat e shkollës se shumica e shqiptarëve në atë kohë nuk e kanë pasur këtë mundësi”, tha ajo.

Pavarësisht trishtimit që mund të ketë ndjerë e mbijetuara e vetmja e familjes Jashari, nxënësja Greta Rrustemi, thotë se beson që ajo është ndjerë krenare që familja e saj është flijuar për popullin shqiptar.

Ajo potencon se diskutimi për Epopenë e UÇK-së e familjen Jashari nuk është i mjaftueshëm që ndodh vetëm në raste përvjetori, pasi që thotë se ka dëshirë të mësojë më shumë për historinë e lavdishme të Kosovës.

Rrustemi: Besarta duhet të jetë krenare për familjen

 

Video

 

“Besoj që është ndjerë shumë keq kur i ka vdekur e gjithë familja, por prapë është krenare se krejt familja e vet ka flijuar për popullin shqiptar. Nuk ma merr mendja që mjafton shumë, se kisha pas dëshirë për të diskutuar më shumë për këtë temë, por prapë është mirë që diskutojmë”, tha ajo.

Arsimtarja e lëndës së historisë në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, Donika Xhemajli, tregon se pse ka zgjedhur që sot të diskutojë me nxënësit e saj për të mbijetuarën e familjes Jashari, Besartën.

Xhemajli: Zgjodhëm historinë e Besartës së janë pothuajse në moshë të njëjtë

 

Video

 

“Për shkak se është histori dhe mund të përdoret ndonjë rrëfim, ndonjë dokumentar atëherë unë sot e zgjodha të mbijetuarën, Besartën. Mendoj se është shumë e prekshme dhe përcillet shumë lehtë tek nxënësit e mi për shkak se janë afërsisht me moshë të njëjtë”, u shpreh ajo.

Ajo thotë se nxënësit e saj kanë njohuri për Epopenë e UÇK-së, por që thotë se ju mungon bashkëndjenja për këtë ngjarje.

Xhemajli: Nxënësit kanë njohur për Epopenë e UÇK-së

 

Video

 

“Relativisht mirë kanë njohuri për Epopenë e UÇK-së edhe për historinë e fundit të luftës në Kosovë, mirëpo mendoj se ju mungon ajo bashkëndjenja. Këta nuk e kanë përjetuar ngjarjet që i kemi përjetuar gjenerata jonë ose gjenerata e prindërve të nxënësve, kështu që këtu duhet me pas kujdes me qasje edhe për të treguar se nuk ka qenë e lehtë edhe që duhet të vlerësohet atë që dikush e ka bërë për neve”, tha ajo.

Sot në të gjithë shkollat e Kosovës ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së UÇK-së./M.Duraku//KosovaPress