Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, e që prej 32 mijë fletëvotimeve, tashmë janë numëruar më shumë se gjysma e tyre.
Pasi të përfundojë numërimi i tyre, në QNR do të fillojë numërimi i votave të diasporës, që shërbimi votues ka aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime.
Deri më tani Lëvizja Vetëvendosje ka 7689 vota, Partia Demokratike e Kosovës 2590, Lidhja Demokratike e Kosovës 1636, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 1383.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se posa të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçantë do të fillojë numërimi i votave nga jashtë Kosova.
Elezi: Janë numëruar më shumë se gjysma e votave me kusht
Video
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Menjëherë pas tyre, do të fillojmë me numërimin e votave nga jashtë Kosovës. Sipas të dhënave janë rreth 32 mijë fletëvotime të konfirmuara me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë pjesë e procesit të numërimit. Deri më tani janë numëruar më shumë se gjysma e tyre”, tha ai.
Fillimi i numërimit të votave nga jashtë Kosova, Elezi tha se varet nga dinamika e punës në QNR, por që tha se si procedurë do të fillojë posa të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.
Ai bëri të ditur se janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime nga diaspora, ndërsa janë refuzuar 22 mije e 591.
Elezi: Janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime nga diaspora
Video
“Tashmë, shërbimi votues i KQZ-së ka përmbyllur vlerësimin dhe verifikimin e pakove të supozuara me fletëvotime. Nga numri total i pakove të proceduara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit janë të ndryshme dhe janë të kategorizuara në 7 grupe kryesore: 9 mijë e 199 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 6 mijë e 665 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 1 mijë e 325 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 2 mijë e 451 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 910 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim; 1 mijë e 656 zarfe me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar. Pra, brenda një pakoje/dërgese kanë qenë nga 84, 39, apo 37 zarfe të individiualizuara me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar; dhe 385 pako me fletëvotime që janë dorëzuar personalisht në postën numër 6 në Kosovë dhe nuk përmbajnë vulën dhe as pullën postare të postës dërguese”, tha ai.
Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta ka nisur dje./M.Duraku/KosovaPress