Ulur në një rrugë në lagjen Dardania në Prishtinë, një 36-vjeçare priste që njerëzit që dilnin nga një market apo kalonin asaj rruge t’i lëshonin pranë saj disa nga centët e tyre.
E ardhur nga Shqipëria, kjo grua me përkatësi etnike rome thotë se tani jeton në një shtëpi të vjetër në qytetin e Ferizajt, ku banon me qira. Dhjetë vjetët e saj në Kosovë nuk kanë qenë të lehta.
“Shumë herë gjatë natës nuk më ka zënë gjumi, [duke menduar] se a do të mund ta sigurojë ushqimin të nesërmen për familje”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
E papunë, ajo çdo ditë udhëton nga Ferizaj në Prishtinë për të kërkuar lëmoshë nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit. 36-vjeçarja thotë se kështu fiton nga pesë deri në dhjetë euro në ditë, të cilat i përdor për blerje të ushqimeve për familjen e saj treanëtarëshe.
Por, paratë i duhet t’i kursejë edhe për pagesat mujore të qirasë dhe faturave të ndryshme. Kjo i është vështirësuar që kur çmimet e produkteve ushqimore janë ngritur.
“Çmimet për produktet ushqimore viteve të fundit janë rritur shumë, nuk di qysh po ia dal. Po, mërzitem, mërzitem shumë, çka të bëj…”, thotë ajo.
Kosova e kishte mbyllur vitin e kaluar me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind, ndërsa në muajin tetor, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit ishte 3.3 për qind.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur ngritje të çmimeve duke filluar nga produktet ushqimore deri tek shërbimet.
Këto çmime të ngritura i kanë shkaktuar shqetësim dhe pagjumësi disa herë në jetë edhe Xhevahir Berbatovcit. Si punëtor në sektorin e ndërtimtarisë, ai që tre muaj paguhet nga 500 euro në muaj, ndërsa më parë merrte nga 450 euro.
Por, shkaku i këstit të kredisë prej 240 eurosh në muaj dhe çmimeve të ngritura, ai thotë se paga nuk i mjafton për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet familjare.
“Nuk e di a me thanë stres, por i shqetësuar tej mase, vështirë është bërë të jetohet më këto paga”, thotë Berbatovci, baba i tre fëmijëve.
Sfida të ngjashme përjetojnë edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në raportin “Shqyrtimi i Dinamikës së Varfërisë së Amvisërisë Përballë Inflacionit” më 2 nëntor nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Gati gjysma e të anketuarve kanë raportuar se kishin përjetuar stres, ankth ose shqetësim – që më vonë kishin shkaktuar çrregullime në aktivitetet normale ditore, të tilla si gjumi dhe produktiviteti në punë.
Këto probleme janë shfaqur pasi që të hyrat financiare kanë mbetur të pandryshuara gjatë periudhës 2021-2023, derisa shpenzimet për nevojat bazë janë rritur gjatë këtyre viteve.
Deri sa në vitin 2021, 38.8 për qind e ekonomive familjare kishin shpenzuar 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore, përqindja u rrit deri në 59.5 për qind më 2023.