Nuk kalon marrëveshja e kredisë me Fondin OPEC, opozita adreson kritika

- in Lajme

Me 73 vota për, 11 abstenime dhe një votë kundër, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, nuk ka arritur që të miratohet.

Projektligji është kritikuar nga deputetët e opozitës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për këtë marrëveshje nuk ka pasur asnjë diskutim paraprak.

“Kjo marrëveshje është me Fondin OPEC, 40 milionë dollarë kredi është kredi për të miratuar ligje, nuk është për ndonjë projekt kapital. Thirrjet që kjo marrëveshje të miratohet brenda 180 ditësh, marrëveshja është nënshkruar në qershor 2022. Ne nuk kemi një rikonfirmim nga Fondi OPEC se a mund të shkojmë përpara me këtë kredi”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se si Grup Parlamentar i LDK-së kërkojnë që marrëveshja të kthehet prapa dhe të rinegociohet edhe njëherë me OPEC-un.

“Me marrë kredi me bo reforma në inspektime kjo nuk ka ndodhur kurrë”, është shprehur ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka theksuar se ministri duhet t’i elabrojë më mirë këto marrëveshje.

“Marrëveshjet ndërkombëtare në esencë e kanë rëndësinë e tyre. Duhet të bëhet një elaborim më i thukët nga ministri për këto marrëveshje”, ka thënë Tahiri.

/GazetaSinjali/