“Nuk është mirë”, Hodaj tregon çka do të ndodhë me Thaçin e Selimin pas largimit të avokatëve

- in Lajme

Avokati Taulant Hodaj i cili është i akredituar nga Gjykata Speciale ka komentuar ndryshimin e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe së fundmi edhe të largimit një avokati mbrojtës të Rexhep Selimit.

Hodaj në RTV Dukagjini ka thënë se nuk është mirë të bëhen këto ndryshime derisa procesi është në mes.

“Nuk është mirë që në mes të procesit të ndryshohen avokatët, por në raste specifike avokatët mund të ndryshohen kur nuk mund të bëjnë një mbrojtje adekuate”.

Ai thotë se në rastin e Thaçit është tërhequr komplet ekipi i mbrojtjes derisa sipas tij avokati i Selimit është shkarkuar nga avokati kryesor.

“Ky është problem për mbrojtjen, sidomos nëse ndryshohet avokati kryesor pasi rasti është shumë voluminoz dhe ai është familjarizuar me rastin dhe se çdo avokat i ri që merr rastin i duhet mjaft kohë për të analizuar lëndën në mënyrë që të bëhet një mbrojtje efektive sidomos në Gjykatë Speciale”.

Avokati ka thënë se jo patjetër avokatët mbrojtës në Hagë duhet të kenë një renome botërore.

“Duhet të jenë ekipe mbrojtëse që kanë njohuri për sistemet e mbrojtjes në Angli apo Holandë pasi këta funksionojnë në bazë të atyre praktikave”, ka deklaruar tutje Hodaj.

 

/Demokracia