“Nuk dua të jap qëndrim juridik” | Fshehja e Albin Kurtit pas Gjykatës Kushtetuese, dikur i recitonte si bylbyl pretendimet për shkeljet e “Zajdenicës”

- in Lajme

“Nga një kënd procedural, nuk dua të jap qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Atë e jep Gjykata Kushtetuese, siç e parasheh qartë draft-statuti [i Zajednicës/Asociacionit]”.

Kjo nuk është deklaratë e ndonjë institucionalisti të dëshmuar, i cili respekton hierarkinë instituicionale dhe përgjegjësitë kushtetuese të institucioneve, para se të japë vlerësimin e tij, shkruan Demokracia.com.

Por, kjo është një deklaratë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, njeriut të dëshmuar që përmes presionit të tij publik, me deklarata apo protesta, iu ka “treguar” institucioneve gjyqësore se çfarë vendimesh duhet të marrin.

Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë është sjellur edhe si një jurist, i cili nuk ka ngurruar asnjëherë që të flasë për përmbajtjen e marrëveshjeve me Serbinë, duke i klasifikuar ato si marrëveshje që shkelin rendin kushtetues të Kosovës.

Opozitari Kurti nuk ka pritur asnjëherë versionin e institucioneve për të dhënë pastaj qëndrimin e tij, por kjo “cilësi” prej institucionalisti e kryeministrit Kurti shfaqet në një kohë kur raportimet flasin se ai ka pranuar një draft-statut të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (aktualisht po mbahet i fshehur), që “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.

Këtë strategji të ikjes nga deklarimi i drejtpërdrejtë përmes së cilit do të garantonte qytetarët nëse Zajednica e pranuar prej tij është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, “institucionalisti” Kurti e ka prezantuar së pari më 27 tetor 2023, pak ditë pasi 5 emisarët nga ShBA-ja, BE-ja, Gjermania, Francia dhe Italia, ia dorëzuan draft-statutin mbi të cilin do të themlohet ajo.

Kurti konfirmoi se ishte i gatshëm të nënshkruante për themelimin e kësaj bashkësie komunash, sipas një propozimi që pesë diplomatë të huaj ia sollën në Prishtinë paraprakisht.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha ai në një konferencë për media.

Një javë më pas, më 3 nëntor 2023, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti refuzoi të tregonte nëse kjo Zajednicë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në të njëjtin vend, vite më parë, Kurti dhe deputetët tjerë të Vetëvedosjes, bllokonin zhvillimin e seancave të Kuvendit të Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës, ende pa u publikuar Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, por të bindur se Marrëveshja e 2015-es për të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë juridik, Kushtetutën.

“Nga një kënd procedural, nuk dua të jap qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Atë e jep Gjykata Kushtetuese siç e parasheh qartë draft-statuti [i Zajednicës/Asociacionit]”, deklaroi Kurti më 3 nëntor 2023.

Kurti që nuk pranon t’iu tregojë qytetarëve nëse Zajednica e pranuar është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ngurron që të bëjë të ditur këndvështrimin e tij në aspektin politik për draftin e pranuar, pasi në këtë mënyrë do të vazhdonte manipulimin dhe ikjen nga e vërteta.

“Megjithatë, si kryeministër dhe si politikan dua ta them një këndvështrim politik për draftin.
E para, drafti në vlerësimin tim politik ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës që ishte çimentuar në 2013 dhe 2015. Drafti ka qartësi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ku serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multi-etnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për Republikën në njohje të integritetit territorial. Kjo qartazi nuk është Zajedenicë, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme”, vazhdonte deklarimin e tij kryeministri Kurti. /Demokracia.com/