NUK DIHET NËSE DO TË KTHEHEN REDUKTIMET, PRITET RRITJA E ÇMIMIT TË RRYMËS

- in Lajme

Ka pak ditë që nga koha kur qytetarët të Kosovës kanë “pushuar” nga reduktimet e energjisë elektrike.

 

Pas disa javëve të rënda, me reduktime të shpeshta të rrymës që vende-vende shkonin edhe në 24 orë, qytetarëve të Kosovës ditëve të fundit iu është rikthyer furnizimi më i rregullt me energji elektrike.

Lidhur me gjendjen aktuale të furnizimit me energji-elektrike, lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala.

Buzhala ka deklaruar se gjendja është stabile dhe tash e afro dy javë nuk janë bërë kufizime të energjisë elektrike.

“Institucionet më të larta të vendit e kanë shpall gjendjen emergjente dhe duke qenë në këtë gjendje ne nuk mund të predikojmë se si do të jetë situata në ditët në vijim”, tha ai.

Ai poashtu theksoi se kjo varet shumë edhe nga çmimet e energjisë elektrike në rajon, të cilat aktualisht kanë rënë, nga prodhimi vendor si dhe nga kërkesa.

Ndryshe së fundi është bërë e ditur se gjatë këtyre ditëve pritet që ZRRE-ja do të marrë vendimin nga aplikimi që është bërë për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

Kësisoj pritet që të ketë rritje të çmimit, pasi është bërë kërkesë bazuar në formulë.

Madje Buzhala pati theksuar se në bazë të shpenzimeve që kanë pasur e kanë bërë edhe kërkesën dhe se do të ketë edhe një shqyrtim të rregullt pastaj në pranverë.

“Për tarifat që hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të vitit vijues. Është proces i rregullt, pritet sërish të ketë rritje. Por, ne nuk jemi autoriteti që vendos është ZRRE-ja. Fatkeqësisht do të jetë rritje relativisht e lartë. Do të jetë rritje 30 deri 40 për qind në bazë të vlerësimeve që i bëjmë, për të dy herët them”, ka thënë ai.

Por tutje është bërë e ditur se ende s’kanë bërë as shqyrtimin e jashtëzakonshëm, që pastaj të bëhet kërkesa edhe për shqyrtimin e rregullt.

Kurse nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës është thënë se nuk janë dhënë instruksione për kufizim të konsumit për qëllime të balancimit të sistemit nga data 30 dhjetor 2021.

Nga Zyra për Informim e KOSTT-it kanë thënë për lajmi.net se kjo nuk është bërë meqë operatorët përgjegjës në treg kanë siguruar energjinë elektrike të nevojshme për të mbuluar sistemin.

“KOSTT nuk ka dhënë instruksione për kufizim të konsumit për qëllime të balancimit të sistemit nga data 30 dhjetor 2021, meqë operatorët përgjegjës në treg kanë siguruar energjinë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin”.

Poashtu është theksuar se programet e kufizimit të konsumit mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa dhe sigurimi i energjisë elektrike për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës si KESCO/KEDS dhe KEK.

Mësohet se, aktualisht KEDS është duke importuar rreth 500 MGW, ndërsa prodhimi nga KEK është rreth 600 MGW. Jashtë funksionit vazhdon të jetë blloku B2, ndërkohë lajmi.net mëson se jashtë funksionit ka dal përsëri blloku A4 i TC Kosova A, i cili ishte rikthyer para pak ditësh në funksion.

Qytetarët e Kosovës, aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Pavarësisht pagesave për tarifat e rrymës, qytetarët u përballën me mungesë të energjisë elektrike në kohën kur shumë prej tyre ngrohjen e kanë pikërisht përmes energjisë elektrike.

E lidhur me këtë drejtuesit e institucioneve në vend përgjatë muajve të fundit kanë porositur qytetarët që të mundohen të kursejnë energjinë elektrike.

Madje pikërisht lidhur me shpenzimet që bëhen në kuadër të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e funksionimit të pajisjeve për kriptovaluta.

Policia e Kosovës bashkë me Doganën e Kosovës prej disa ditësh janë duke sekuestruar një numër të madh të pajisjeve, të cilat theksohet se bëjnë një shpenzim të lartë të rrymës.