Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) sërish ka kërkuar ndërmarrjen e masave nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e Ministria e Financave, për funksionalizimin e shërbimeve sociale. KOMF muaj më parë kishte parlajmëruar rrezikun e mbylljes për shkak të vonesave për ndarjen e fondeve. Tash edhepse mjetet janë ndarë, KOMF ka paralajmëruar se ofruesit e shërbimeve sociale janë në gjendje të rëndë dhe kanë kërkuar masë të përkohshme.
Për shkak të kësaj, KOFM ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës krijimin e masës së përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale.
Ata kanë thënë se ofruesit e shërbimeve sociale janë në gjendje të rëndë, teksa kanë kritkuar ndarjen me vonesë të fondeve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
“Ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendjen më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale.” – bën të ditur KOMF.
Sipas një njoftimi nga KOMF, ka thënë se ndarja e 1.4 milionë eurove për subvencionimin e shërbimeve të 40 organizatave jo qeveritare të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale, nuk mjafton.
“Ministria e Drejtësisë, në 2024 ka ndarë 1.5 milionë Euro për subvencionimin e shërbimeve të 40 organizatave jo qeveritare të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale. Megjithatë, ky fond nuk është i mjaftueshëm për të funksionalizuar ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre.” – thuhet në reagimin e tyre.
E tash KOMF përsëri është shprehur e shqetësuar se nëse kjo gjë nuk rregullohet, atëherë mund të çojë në mbylljen e shërbimeve.
“Kjo situatë mund të çojë në mbyllje të shërbimeve, apo reduktim masiv të përfituesve, që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre. Nisur nga kjo, KOMF ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave të rrisin mbështetjen në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet e cenuara përmes krijimit të një Mase të përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.” – është kërkesa e tyre.
“Mohimi për t’i siguruar fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien, integrimin dhe zhvillimin e plotë të tij, përbën shkelje të parimeve bazë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.” – i është rikujtuar Qeverisë së Kosovës.