Vetëm pak orë më parë u bë e ditur se filmi “Zgjoi” ka triumfuar në Francë, duke u shpërblyer me çmimin kryesor “Golden Antigone” në edicionin e 43-të të Festivalit Mediteran të Filmit “Cinemed”.
Dhe duket se sukseset nuk kanë të ndalur për filmin kosovar me regji e skenar të Blerta Bashollit.
Së fundmi u njoftua se ky film ka triumfuar edhe në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabruck të Gjermanisë.
Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e filmit përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.
Postimi i plotë sipas faqes së “Zgjoi” (pa ndërhyrje):
“Zgjoi triumfon në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë
Këto tri ditë kanë qenë çmenduri. Pas gala-shfaqjes, fitimit të çmimit “Antigone d’or” si filmi më i mirë në Festivalin Mesdhetar të Filmit në Francë, vjen lajmi për shpërblimin në edicionin e 36-të të Festivalit të Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë me çmimin kryesor.
Sipas regjisores Blerta Basholli, kështu po promovohet imazhi i Kosovës.
“Çdo çmim që po marrim, është konfirmim i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi. Të gjithë kemi punuar e kemi dhënë shumë për këtë projekt, që është më shumë se projekt për ne. Pa dyshim, që për filma të Kosovës do të dëgjohet akoma e më shumë. Na presin edhe shumë festivale e çmime të rëndësishme”, ka thënë ajo.
Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli që tregon rrëfimin e Fahrije Hotit që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera, në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë, mori “Çmimin e Paqes”.
Çmimin e pranoi producenti Agon Uka, i cili po qëndronte në Festivalin që është një nga më të vjetrit e më me traditë në Saksoninë e Ulët. Gjatë këtyre ditëve, ai pati rastin të bashkëbisedojë me publikun që shikoi filmin, por edhe filmbërës, producentë e njerëz me rëndësi në botën e kinematografisë.
“Është vërtet mbresëlënës të shohësh sesi rrëfimi nga Kosova po arrin të krijojë lidhje me njerëzit, kudo që po shfaqet. Filmi tregon për fuqinë që kanë njerëzit brenda vetes për t’iu bërë ballë situatave të vështira qe mund të hasin. Është për triumfin dhe çdo triumf i ‘Zgjoit’ është triumf edhe i vendit”, ka thënë Uka
Nga 28 tetori filmi do të shfaqet për publikun e gjerë në kinematë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë. Biletat tani janë në shitje.
Blerta Basholli Valon Bajgora Yllka Gashi Kaona Sylejmani Aurita Agushi Adriana Matoshi Kumrije Hoxha Enis Saraçi Alicia Ferro Qendra Kinematografike e Kosoves Alva Film LevelK Armend Smajli Molikë Maxhuni Blerta Ismaili Valire Haxhijaj Zeneli Aulona Selmani Astrit Kabashi Xhejlane Terbunja Official Shkëlqim Islami”. /Telegrafi/