“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti.
As tri ditë të vetme nuk ka qëndruar kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e dhënë më 22 janar 2024 në Shkup, kur është pyetur për pjesëmarrjen e subjektit të tij politik, Vetëvendosjes, në zgjedhjet parlamentare të këtij shteti fqinj, shkruan Demokracia.com.
Të mësuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që nuk mban asnjë qëndrim dhe që është shndërruar në një lider krejtësisht joserioz, edhe njerëzit që çdo ditë punojnë me të, nuk po përkujdesën për të ruajtur integritetin e personalitetit të shefit të tyre.
Vetëm tri ditë më vonë, më 25 janar, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e ka nxjerrë në rrenë këshilltari i tij që vjen nga Maqedonia e Veriut, Bekim Qoku.
Qoku ka qenë shumë i prerë në përgjigjen e tij dhënë në një intervistë për televizionin shqiptar, Alsat, duke konfirmuar se Vetëvendosje do të marrë pjesë në këto zgjedhje si pjesë e bashkimit të tri partive shqiptare opozitare në këtë shtet, nën emrin Lëvizja Evropiane për Ndryshim, ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa.
“Vetëvendosje këtu merr pjesë përmes meje si aktivist i kësaj Lëvizje edhe unë gjej mbështetjen e Vetëvendosjes këtu duke marrë pjesë në këto zgjedhje. Në vitin 2020 nuk kishim përfaqësues, në këtë rast do të kemi edhe kandidat. Kështu që Lëvizja Vetëvendosje është këtu, do të jetë pjesë e fushatës, do të më ndihmojë mua edhe aq sa mundet edhe LEN-in”, tha Bekim Qoku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Maqedoni.
Të dielën më 28 janar 2024, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të votojë për Qeverinë teknike që do ta drejtojë vendin deri pas zgjedhjeve paralmentare të muajit maj. Për herë të parë, drejtues i Qeverisë në Maqedoninë e Veriut do të bëhet një shqiptar, Talat Xhaferi, nga BDI.
Por, pavarësisht këtij momenti historik nëpër të cilin po kalojnë shqiptarët me rol shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë opozitarizmit të tij kapej rreth ideve për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në rajon, as kësaj radhe nuk është pozicionuar në mbështetje të realizimit të kësaj arritjeje historike.
Në vend se t’i shërbejë unifikimit të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti po e bën të kundërtën. Ai është pozicionuar qartë politikisht, pikërisht në mbështetje të tri partive politike shqiptare që përbëjnë Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN). /Demokracia.com/